E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia udhëzim të ri për emigrantët shqiptarë mbi ndihmën sociale



Laureta Rryçi

Për të përfituar ndihmë sociale nga shteti italiane, emigrantët shqiptarë duhet të jetojnë në mënyrë të përhershme në këtë shtet.
Në të kundërt asnjë prej 65 –vjeçarëve shqiptarë nuk do të përfitojë më qoftë dhe një euro të vetme por do të akuzohet edhe për mashtrim. Agjencia e Kontributeve italiane pak ditë më parë ka nxjerrë udhëzim të ri për të huajt që deri më dje përfitonin nga ndihma sociale. Udhëzimi i fundit, prek mijëra familje emigrantësh shqiptarë që kishin mundur t’u siguronin prindërve prej disa vitesh ndihmën sociale. Sipas të përditshmeve italiane udhëzimi i ri jo vetëm ka përcaktuar rregulla të reja por do të shërbejë për të dërguar për ndjekje penale të gjithë ata që kane përfituar padrejtësisht. Madje, sipas të përditshmeve thuhet se për të gjitha rastet që do të zbulohen raste përfitimi me pa të drejtë do të kërkohet dëmshpërblim nga fëmijët e tyre.
Udhëzimi
Personat mbi 65 vjeç, prinderit, që përfitojnë ndihmë sociale nga shteti italian por që jetojnë në një shtet tjetër – në rastin tonë Shqipëri - do të ndiqen për vjedhje ndaj INPS, njëkohësisht do të jenë të detyruar ti kthejnë INPS-it fondet e përfituara. Për këtë vit, agjencia italiane e kontributeve ka vendosur që ndihmë sociale të përfitojnë ata emigrantë mbi 65 vjeç që kanë marrë lejen për një periudhë të gjatë( “soggiornanti di lungo periodo”) ose ata që kanë të paktën pesë vjet që jetojnë në Itali me dokumente të rregullta. Ndryshimet që janë përfshirë në udhëzimin e ri kanë të bëjnë pikërisht më kohën e qëndrimit që duhet të respektojnë emigrantët për të përfituar ndihmë sociale nga shtetit italian.
Rregullat e reja
Shqiptarët që përfitonin deri më dje nga Italia ndihmë sociale nuk duhet të kthehen në Shqipëri për të qëndruar më shumë se një muaj. Në përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për arye shëndetësore serioze, pjesa tjetër e emigrantëve do të penalizohen duke u pezulluar fillimisht për një vit ndihmën sociale. Pas kësaj, nëse emigrantët shqiptarë nuk do të japin shpjegime të bindshme për mungesën e tyre në shtetin italian atëherë agjencia e kontributeve ka të drejtë t’ua pezullojë ndihmën sociale përgjithmonë.
Ndryshimet
Shkak për udhëzimin e ri janë bërë lëvizjet e shpeshta të emigrantëve mbi 65 vjeç. Pas një inspektimi nga ana e agjencisë janë parë mjaft raste se shumë emigrantë përfitues të ndihmës sociale vinin në Itali vetëm për të tërhequr eurot dhe më pas rikthehen në vendlindje. Por ka edhe plot raste të tjera kur prindërit lëshojnë vërtetime që ndihmën sociale ta tërheqin fëmijët e tyre. Për ata që kanë mashtruar është menduar që te kenë pasoja financiare për të dëmshpërblyer shtetin italian. Madje pak ditë pasi udhëzimi ka hyrë në fuqi, janë denoncuar për mashtrim katër emigrantë, dy shqiptarë dhe dy marokenë. Që të katërt kishin mbërritur në itali falë bashkimit familjar dhe menjëherë kishin përfituar ndihmë sociale. Mirëpo pas kësaj emigrantët ishin kthyer për një kohë të gjatë në vendlindje duke lënë dokumentet si rezident në Itali. Sipas financierëve që po merren me raste të tyre kanë thënë se të katër emigrantët deri më tani i kishin sjellë shtetit italian një dëm prej 25 mijë eurosh. Shumë e cila do të rikthehet sërish në arkën e agjencisë së kontributeve nga katër emigrantët.

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›