E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti ri akademik, universitetet dhe MASH: “Jo më degë pa limit”



Jonida Tashi

Universitetet për vitin e ri akademik pritet të mos kenë më degë të hapura, por më shumë kuota për çdo degë. Ky është propozimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve publike në vend, miratimi i të cilit varet nga vendim i Këshillit të Ministrave. Këto dy dikastere kanë rënë dakord për mbylljen e degëve pa limit pranimesh. Shkak për heqjen e kuotave të hapura janë bërë problemet e hasura gjatë viteve të fundit, ku në shumë fakultete janë pranuar maturantë që nuk kanë pasur njohuri degën që do të studionin. Gjithmonë nga të rinjtë këto degë janë parë si një mundësi për të hyrë në fakultet, por gjatë ecurisë së studimeve në këto degë janë vërejtur jo pak probleme. Kjo edhe për faktin se studimet në degët e hapura i kanë ndjekur të rinjtë që nuk kanë mundur të fitojnë të drejtë studimi në degë të tjera. Sipas Ministrisë së Arsimit, ky propozim nuk ua heq të drejtën studentëve për të ndjekur studimet e larta, pasi pothuajse në të gjitha degët e universiteteve do të ketë më shumë kuota dhe është detyrë e fakulteteve që të bëjnë më pas seleksionimin e tyre. Por propozimi për mbylljen e degëve të hapura nuk do të prek vetëm universitetet publike në kryeqytet, por edhe ato në rrethe. Bazuar në këtë propozim, edhe këto universitete për vitin e ardhshëm akademik, do të kenë vetëm degë me kuota të përcaktuar.
Propozimi
Burime zyrtare nga MAS-i bëjnë të ditur se fillimisht propozimi ka ardhur nga universitetet, të cilat në varësi të kapaciteve të tyre ekzistuese kanë kërkuar që të ketë më shumë pranime dhe jo më degë të liberalizuara. Pas paraqitjes së këtij propozimi, MASH-i ka rëndë dakord me universitet dhe pritet që së shpejti ai të kalojë për miratim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Sipas MASH-it, nëse ky propozim do të miratohet në universitete nevojiten më shumë pedagogë. Propozimi i paraqitur nga universitetet dhe MASH, bazuar në deklaratën e këshilltarit të Kryeministrisë për arsimin Myqerem Tafaj ka mundësi që të miratohet nga Këshilli i Ministrave. Pak kohë parë, Myqerem Tafaj, është shprehur se në fakultete gjatë vitit të ardhshëm do të pranohen maturantë të përzgjedhur nga provimet e Maturës Shtetërore dhe se nuk do të operohet më me kuota të hapura. Kjo pasi të gjitha fakultetet kanë përcaktuar kapacitet e mundshme të pranimit në ambientet e tyre dhe mbi bazën e këtyre do të përcaktohen dhe pranimet e këtij viti, çka do të thotë se në degët përkatëse do të përfshihen maturantë që janë të përgatitur në lidhje me njohuritë e mbledhura në vite mbi degën e përzgjedhur.
Kuotat
Universitetet për vitin akademik 2008-2009 kanë propozuar kuota më të larta pranimi në fakultete, se sa një v it më parë. Kështu Rektoratet e universiteteve kanë dërguar pranë Ministrisë së Arsimit propozimet përkatëse, në lidhje me pranimet, të cilat po rishikohen nga specialistët dhe pritet që t’i kalohen së shpejti Këshillit të Ministrave. Do të jetë pikërsiht ky institucion që do të miratojë përfundimisht dhe vendimin përkatës me kuotat e pranimeve në universitete të shpërndara sipas rretheve të ndryshme të vendit. Fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë propozuar kuota më të larta pranimi. Por dhe fakultetet e rretheve kanë propozuar më shumë kuota pranimi krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që përveç kërkesës për rritjen e kuotave të pranimit është kërkuar dhe shtimi i stafit akademik, që do të jetë i nevojshëm për të përballuar fluksin e pranimeve për propozimet e bëra. Aktualisht, strukturat akademike ndodhen në pritje të përgjigjes së MASH-it, për kërkesat e tyre të dërguara në lidhje me numrin e pedagogëve që duhen shtuar në degët përkatëse të fakulteteve, sidomos të atyre që do të kenë fluksin më të lartë të pranimeve gjatë këtij viti.
Pranimet
Pranimet në shkollat e larta për vitin shkollor 2008-2009, ashtu si dhe vitin e kaluar shkollor, do të bëhen në bazë të Maturës Shtetërore. Matura Shtetërore, nënkupton dhënien e katër provimeve, nga të cilat dy janë të detyruara dhe dy janë me zgjedhje. Lëndët për dy provimet me zgjedhje do të caktohen nga vetë maturanti (kandidatët për shkollë të lartë) duke i zgjedhur ato nga lista e lëndëve për provim me zgjedhje, të përcaktuara nga Ministria e Arsimit. Provimeve me zgjedhje do t’u nënshtrohen ata nxënës maturantë, të cilët në përfundim të shkollës së mesme, duan të vazhdojnë studimet në shkollat e larta. Këta maturantë, pavarësisht nga lloji i shkollës së mesme që kanë kryer (shkollë e mesme e përgjithshme, teknike-profesionale, social-kulturore apo me kohë të shkurtuar), do të japin dy provime me zgjedhje, të cilat i zgjedhin vetë nga lëndët e poshtëshënuara: Histori, Gjeografi, Njohuri për shoqërinë, Njohuri për ekonominë + Filozofi, Gjuhë angleze, Gjuhë frënge, Fizikë, Kimi, Biologji. Fituesit bazuar në sistemin Meritë–Preferencë, përcaktohen sipas dy parimeve: Parimi i meritës, përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe të provimeve të Maturës Shtetërore. Ndërsa parimi i preferencës, përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre.

Kërkesat dhe kuotat në vitin 2007
Për 350 vende në degën Histori në Fakultetin Histori- Filologji kishte 19615 kërkesa
Për 400 vende në degët Psikologji, Punë Sociale, Shkenca Politike kishte 27918 kërkesa
Për 1250 vende në Fakultetin Ekonomik, kishte 24011 kërkesa
Për 510 vende në Fakultetin e Mjekësisë, kishte 13524 kërkesa
Për 100 vende në Arkitekturë, kishte 1161 kërkesa
Për 380 vende në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, kishte 7881 kërkesa
Për 460 vende në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit kishte 8245 kërkesa
Për 410 vende ne Fakultetin e Infermierisë kishte 10228 kërkesa
Pranimet në vite
Në vitin 2004, janë pranuar 74 për qind e atyre që mbaruan shkollën e mesme
Në vitin 2005, janë pranuar 82 për qind e nxënësve që kanë kryer shkollën e mesme
Në vitin 2006, janë pranuar 91 për qind e nxënësve që kanë kryer shkollën e mesme
Në vitin 2007, janë pranuar 22995 studente ose mbi 97 për qind e nxënësve që kane kryer shkollën e mesme

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›