E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza sekuestron dokumentet në zyrën e specialistit të rekrutëve



TIRANË – Bllokohen dokumentet e zyrës së rekrutimit në Kavajë. Hetuesit e Prokurorisë së Kavajës sekuestruan dje materialet shkresore në zyrën e specialistit të rekrutimit dhe mobilizimit në repartin ushtarak të Kavajës, Xhami Xeka, i arrestuar para dy ditësh për “korrupsion”. Lajmi u bë i ditur për gazetën nga burime pranë kësaj prokurorie, të cilat konfirmuan se dokumentet shkresore të bllokuara (regjistra dhe procesverbale), do të shqyrtohen për zbardhjen e aferës së dyshimtë korruptive në lidhje me rekrutimin e personave për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Sipas të dhënave paraprake hetimore, Xhami Xeka dyshohet se ka lëshuar vërtetime të rreme për persona të ndryshëm për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak kundrejt shumave që shkonin deri në 100 mijë lekë të rinj. Ndërkohë, në pyetje për këtë çështje pritet të merren nga prokuroria edhe personat që mendohet se kanë përfituar nga ky lloj “shërbimi”, duke shmangur kështu shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Shtetasi Xhami Xeka, 48 vjeç, banues në Hajdaraj, Kavajë, u arrestua dy ditë më parë gjatë operacionit të koduar “Rekrutimi”, me akuzat e “korrupsionit pasiv” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Gjykata, “arrest me burg” për katër trafikantët e pistoletave

TIRANË - Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi t’i lërë në burg pa afat të pandehurit Fiqeret Onuzi, Alfred Qafa, Bujar Ajeti dhe Baftjar Haliti, të akuzuar për “trafik armësh”. Pas kërkesës së prokurorit të çështjes, Gjykata vendosi që të pandehurit të qëndrojnë në “arrest me burg” deri në përfundimin e hetimeve.
Katër të pandehurit u arrestuan tri ditë më parë në aksin Kukës - Fushë Arrës, në vendin e quajtur Qafa e Malit, teksa ishin duke transportuar 100 copë pistoleta “Mini Blow”. Pistoletat ishin fshehur në një furgon tip “Ford Transit”, me targa KU O77 A. Sipas policisë, dyshohet se pistoletat vinin nga Kosova apo Mali i Zi për t’u shitur më pas në Greqi.

Ekstradohet nga Milano 30-vjeçari i akuzuar për vrasje

TIRANË – Interpol Tirana ka ekstraduar nga Italia një person të akuzuar për vrasje dy vjet më parë. Burime nga Policia e Shtetit bënë të ditur dje me anë të një njoftimi për shtyp, se Interpol Tirana ekstradoi nga Milano (Itali) drejt Shqipërisë 30-vjeçarin Ramjus (Marjus) Canaj, nga Fieri. Sipas policisë, Ramjus (Marjus) Canaj, është deklaruar fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, e cila ka caktuar si masë sigurie atë të “arrestit me burg” për veprën penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentative”, parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal. Sipas vendimit të gjykatës, Canaj dyshohet se më datën 2 prill të vitit 2006, rreth orës 22:00, në vendin e quajtur Unaza e Re, në lagjen ”Liri Gero”, Fier, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Bardhyl Fejzo.

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›