LIRIA E MENDIMIT U VRA, AJO AMBIENTALE U BURGOS
Si asnjëherë tjetër, Shteti shqiptar si për t`u hakmarrë për dëmin shëndetësor të mjedisit dhe qytetarëve të vet, po hakmerret me lëvizjen ambientale, duke i ngritur pusi dijeve të saj, madje duke i burgosur ato, si me qenë njësh me krimin, si me qenë njësh me kriminelin për të cilin shpesh nuk ka fakte, apo shpesh iku në drejtim "inkonjito". Ai baba shtet po i trajton veprimtarët ambientalë si me qenë njësh me Gërdecin dhe për çfarë? Sepse kanë penguar qarkullimin rrugor. Sa groteske, njëherësh dhe cinizëm i madh, mbasi ky vend jeton në një kaos trafiku. Ç'është ky shtet absurd, i cili nuk plotëson 1000 standarde normale të jetës dhe nga ana tjetër, në mënyrë provokative vë dorë të rëndë për të ndëshkuar disa veprimtarë ambientalë. As nuk u dogj, as nuk u vra, madje as puna nuk u pengua, por simbolikisht nga akshin studentë u vu një barrikadë në orarin e ndaluar nga Bashkia dhe akshin studentë të tjerë, në vazhdën qysh prej tre vjetëve, cicëronin se si duhej mbrojtur një e drejtë qytetare për të jetuar i shëndetshëm dhe jo për të banuar i kurthuar nga ndotjet, kërkonin një të drejtë mjedisore për ta mbrojtur atë dhe jo për të hapur Elbasane e Ballshe të rinj.
Ky shtet me njerëzit e vet të pushtetshëm, mbasi rrahin kur dhe si të duan gazetarët dhe pavarësinë e tyre, mbasi kontrollojnë dhe shtrëngojnë media dhe shtypin vendas, tashmë po vazhdojnë mengenenë e radhës, atë të syrgjynosjes në burg pa afat e më vonë me afat të veprimtarëve ambientalë dhe pse? Sepse shteti ynë nuk i përgjigjet Konventës së Aarhuzit, që e ka penalizuar Atë për mos respektim të tre shtyllave të saj bazë, si të drejtën për pjesëmarrje të Komunitetit, të drejtën për informim dhe të drejtën për ankim në Gjykatë, ku ata (Komuniteti Vlonjat) kërkuan ta zgjidhnin paqësisht, denjësisht me votë plebishitare-Referendum.
Arrestimi i tetë qytetarëve vlonjatë dhe burgosja me hamendje e 4 prej tyre, në kushte jo flagrance, mbajtja në qeli në dhoma urinimi, në përmasa kaushi, dërgimi në burgje nëpër dhoma me kriminel nuk është as më shumë e as më pak, se ti qytetar i lirë po hape gojë, ne shteti, ne pushtetari, ne qeveritari, të bëjmë që ta mbyllësh atë! Nuk është as më shumë e as më pak, se ti ambientalist, i mirë si vetë natyra, mos guxo të analizosh ndotjet, se ne shteti, ne pushtetari, ne qeveritari, të bëjmë të monitorosh ndotjet në birucat tona!
Të arrestohesh në kafe me idenë se ti duhet ta kesh kryer kundra vajtjen penale do të thotë që kushdo nesër, duke filluar nga kjo ditë, të flaket në qeli si në kohen e merhumit. Pa le të arrestohesh në një pas mesnate si studenti alla Rustemçe, me idenë se edhe ti duhet të kesh qenë. Kjo do të thotë, se kjo qeveri po tirret për së prapthi. Kësaj Qeverie i duhej një ngjarje pos Gërdec, që ky i fundit të mund të fashitej, që shkaktarët të kenë kohë të fshihen, aq më tepër që ky popull si i vogël që është ka dhe memorie të vogël, ndoshta aq sa të mos e mbaj dot tragjedinë e radhës Gërdec. Ky pushtet që bëri Gërdecin ka kurajon të arrestojë qytetar civil, të cilët bëjnë protestë edhe paksa jo ligjore, të cilët janë të vetmit njerëz, që duhet të kemi respekt apo t`iu përulemi sa do pak të gjithë. Jetojmë në një kohë e në një vend, që prej 18 vjetësh thirren mafiozë, gazetarët, kundërshtarët politikë, biznesmenët dhe jo sajuesit e tragjedive. Jetojmë në një kohë, ku dijeve iu zihet pritë, ku arroganca kurdoherë demonstrohet si vlerë.
Protesta si e drejtë demokratike mund të ketë edhe aksese, por problemi është që Gjykata e cila ka dhënë një vendim të tillë me qytetarët vlonjatë, me plot pa të drejtë ka tejkaluar ligjin, ku më e pakta flet për kapjen e gjyqësorit dhe kjo nuk është pakujdesi, por çështje për t`u ndalur. Kjo është po aq edhe provokacion politik, qytetar dhe mund të shtrosh habinë pse vazhdon të provokohet Vlora. Kjo është një paradhomë e një diktature për gjithë vendin apo për të gjitha ngjarjet në emër të ligjit. Një ditë, edhe ne, ashtu si shokëve tanë vlonjatë ka për të na ndodhur, ku bathët tregojnë se ka gjasa si rrezik për të jetuar në Shqipëri me mendime alternative.
Arrestimi i tyre tregon për në urdhër të prerë dhe denigrues ndaj situatës ambientale në vend, por më tepër ndaj asaj qytetare. Askush nuk mund të ketë pasur kurajo, përveç një urdhri, të bëjë këto burgosje dhe ndëshkimi. Ai vjen me një overdozë dhe me një agresivitet të madh. Ç'është kjo tendencë akute për të krijuar një vatër tensioni në Vlorë. Pse duhet të provokohet në mënyrë kaq vulgare një qytetar, që proteston për ajrin e qytetit të vet? Nga një kënd vështrim tjetër, Qeveria i ka bërë një nder Aleancës, duke i futur këta ushtarë të lavdishëm të mjedisit në burg, edhe ashtu duke i lënë si qyqar dhe është duke bërë skandal, aq më tepër kur dihet se ndër protestat ose format që tolerohen janë ato me natyrë ambientale.
Që sot, askush nga qytetarët nuk ka më gjasa të ngrihet e të thojë na mbroni jetën, o Shtet! Që sot, askush nga ambientalistët nuk ka më gjasa të ngrihet e të thojë na mbroni mjedisin, o Qeveri! Liria e mendimit u vra, ndërsa ajo ambientale u burgos. Një Zot e di se ku po vemi!