"Franku V" ruan konstanten e spektatorëve
"Franku V" nga sot deri të dielën, në orën 19.00 vazhdon të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar. Tragjikomedia e Fridrih Dyrenmatit e zbërthyer sipas ideve regjisoriale të Arben Kumbaros dhe e bashkëpunëtorëve të tij, Genc Shkodrani për skenografinë dhe Anila Zajmi për kostumet, ka mbërritur në javën e tretë. Është për t'u veçuar fakti se vepra e quajtura komedi muzikore e kolonë të kompozuar nga Endri Sina, e komentuar si "e zymtë", "e rëndë" dhe "e zvarritur" po ruan një publik konstant, gjë është për t'u vlerësuar. Në javën e premierës salla ishte plot. Javës në vazhdim e ka ndjekur më shumë se gjysma e sallës 500 vendëshe.
"Franku V" është një vepër që nuk mund të gëlltitet lehtë nga publiku, për përkthimin tërësisht figurativ që Kumbaro i ka bërë tekstit të Dyrematit. Ajo ka ardhur si një vepër e përmbushur në shumë elementë regjisorialë.
Historia e një banke private është histori e një banketi gjaku, ku miqtë hyjnë si bashkëpunëtorë dhe dalin të tepërt në hesapet e Franku V (Fatos Sela), gruas së tij Otilia (Luiza Xhuvani) dhe shefit të personelit, Egli, Bujar Asqeriu.
Neritan Liçaj në rolin Bëkmanit, Yllka Mujo në rolin e Fridës, Holta Dako në rolin e Franciskës apo Sokol Angjeli si zoti Shlumf, kanë dhënë më të mirën në trupën me gati 15 aktorë që nuk e ka stërvitur veten për të qenë si në ansambël ku s'ka vend për figurantë dhe aktorë estrade.
Këta janë një bandë gangsterësh, njëherësh një shtet gangsterësh që "ligjet demokratike" po ia bëjnë të vështirë mbijetesën, qëllimi i së cilës është një: Paraja. "Franku i V" dëshmon vitalitetin dhe humanizmin e penës së Dyrrenmatit, zgjuarsinë dhe kurajon qytetare me të cilat ai gjykon realitetin e përditshëm.
U zgjodh të hapë sezonin artistik 2008, sepse është një vepër që përmban forcë politike, poetike dhe estetike që komunikon mirë me realitetin e shoqërisë shqiptare. Kjo është vepra e dytë që Teatri Kombëtar prodhon nga Dyrenmat, pas vënies në skenë të "Vizita e damës plakë". Regjisori Arben Kumbaro e pat vënë "Frankun" për herë të parë në Teatrin "Migjeni" në vitin 1991 në prag të përmbysjes së komunizmit.