E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me shpirtin primitiv

 

Ngritja në art e primitives, gdhendja e idesë në gur e dru, përmes ekspozitës fotografike të skulptorit Constantin Brancusi. Një ngjarje në ditët e Pranverës Franceze

Me rrobat e zbardhura, fytyrën e zeshkët, mjekrrën e gjatë e duart e ashpra, ngjan më shumë si një punëtor i rëndomtë guroreje. Por ka sy të thellë, dyshues, që depërtojnë përtej celuloidit. Kanë një aftësi hipnotizuese edhe pse janë fiksuar aty më shumë se gjysmë shekulli para. Pas 50 vjetësh nga vdekja skulptori rumun Constantin Brancus vazhdon të komunikojë përmes artit të tij, i gjendur në muzetë më prestigjiozë të botës, në sheshe e parqe, për të gjitha moshat dhe kohët.

Dje në mesditë, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, ai dhe vepra e tij e etiketuar si "abstrakte" patën të parin prezantim me publikun shqiptar, fatmirësisht dhe fatkeqësisht njëherësh, vetëm nëpërmjet fotografive.

Si njeri që e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Paris, duke u përpjekur të integrohet në rrethet intelektuale dhe artistike të kohës, por duke u munduar të ruajë të paprekur identitetin e marrë me vete nga fshati i vogël në rrëzë të Karpateve, nuk mund të prezantohej më natyrshëm se gjatë ditëve të Pranverës Franceze. (Ekspozita hapet me mbështetje të Ambasadës Rumune dhe asaj Franceze në Tiranë)

Sipas ish-ambasadorit rumun, të ngarkuarit me punë në Tiranë, George Mikut, veprat e Brancusit do të ekspozohen edhe në Korçë, duke shfrytëzuar rastin që ky artist, t'u bëhet i njohur (edhe pse me shumë vonesë) sa më shumë njerëzve. Ekspozita është konceptuar në mënyrë të thjeshtë. Në hollin e muzeut, në faqen ballore të tij, janë varur rreth 25 stenda me fotografi të punëve të skulptorit. Janë vepra të famshme, që i përkasin periudhave të ndryshme të krijimtarisë që nga fillimet, tek periudha klasike deri tek ajo konceptuale ku më shumë se forma ka rëndësi ideja që përcjell. Janë punë të realizuara në gur, dru, mermer, bronz. Material i fortë për të përcjellë ndjesi të holla, siç është një puthje, një fluturim, dremitje... Veprat ndodhen kryesisht në ambiente publike ku duken qartë parqet, pemët e gjelbëra, stolat, por edhe në pavijone muzesh. Janë fotografi të përmasave të vogla ku veprat prezantohen nga disa këndvështrime. Raporti mes veprës dhe ambientit përreth flet për madhështinë e veprave, kur bëhet fjalë për ato të përmasave të mëdha, si në rastin e "Portës së Puthjeve", apo të kolonës gjigante. Por edhe skulpturat e përmasave të vogla, nuk bien më poshtë.

Për skulptorin Thoma Thomai, si tek askush artist tjetër, vepra e Brancusit ishte e lidhur ngushtësisht me jetën e tij. Jeta e drugdhendësit nga fshati rumun e më pas ajo e bohemit në ambientet pariziane në fillimshekullin XX, përshkruhet në gjithë veprën e tij. Aty janë format ornamentale të trashëguara nga vendlindja, por edhe abstraktja, simbolikja, e pafundmja që ai solli në skulpturë.

Për artistin Maks Velo, i cili rrëfen se prej vitit 1992 e viziton studion e Brancusit sa herë që shkon në Paris, në qendrën e artit francez "Pompidou", vlera e artit të Brancusit është tek ngritja në përsosmëri e artit primitiv ballkanas. "Ishte i pari që futi elementët popullorë në skulpturën moderne. I pari që thjeshtoi formën në maksimum dhe arriti që t'i imponohet gjithë shekullit. Elementët e tij shpirtërorë në anën e formës japin ide që nuk mund të transmetohen ndryshe", - thekson Velo, me shpresën se pas këtij prezantimi të parë të veprës së artistit, në Tiranë do të mund të shohim edhe vepra origjinale.

Ndër ato që paraqiten në fotografitë e ekspozitës është "Muza e fjetur", që i përket viteve të para të krijimtarisë (1909-1910), disa kopje të së cilës ndodhen në muzeume të ndryshme të botës, në Paris, Londër etj. Nuk mund të mungojë "Puthja" e famshme, që sot gjendet në Muzeun e Artit në Filadelfia të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës. E gdhendur në gur, të ngjan më shumë me një krijim të njerëzve primitivë. Por ishte pikërisht ky konceptim, që e bëri Brancusin të famshëm në vitin 1912, "Torsi i një vajze të re" 1922, "I porsalinduri", "Peshku" në mermer gri, realizuar në vitin 1930, disa versione të "Zogut në hapësirë" të realizuara në mermer të bardhë dhe të zi (1931-1936), "Porta e puthjeve" e gdhendur në gur (1937-1938) në një lartësi prej rreth 2 metra (1,84 m), vepra gjigante "Kolona e pafund" (1937), që gjenden në Rumani në Turgu Jiu.

Mes të tjerash, edhe disa fotografi të vetë autorit, teksa qëndron i qetë në ambientin e tij, në studio, mes punësh ende të papërfunudara, teksa sharron një copë dru, apo pi një cigare. Janë këto ambiente, të cilat edhe sot ruhen autentike në Paris, ashtu siç i ka lënë skulptori kur u nda nga jeta në vitin 1957.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›