E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA nuk bëjnë shaka!

 

Samiti i Bukureshtit, duam ta pranojmë apo jo, solli në këto hapësira erëra të ftohta. Pat zhgënjim me tepri, skeptikë me shumicë dhe optimizëm me pakicë. Megjithatë, duhet shtuar se në përgjithësi u ruajtën kriteret e maturisë në planin politik. Në këtë pikë, ndoshta inkurajimi i SHBA-ve i vuri kapakun tenxheres me presion që vlonte në Maqedoni. Por, fatkeqësisht, ndjesia nuk është se po zgjat shumë. Trullosja në planin psikologjik, tendenca për përfitim politik në planin e brendshëm, amatorizmi në rrafshin shtetëror dhe derivatet e tjera anësore, e kanë rrasur Maqedoninë brenda një kornize trysnish të panevojshme. Ç'është më ironike, të gjithë në rresht për një flasin për inkuadrim në NATO, por disa syresh e thonë këtë refren sikur të luanin lojën symbyllas. E, në këtë situatë, ku dallohen dukshëm lëvizjet boshe, ku spikat mos koordinimi në kuptimin e spektrit të gjerë politik, ku ashiqare shfaqen taktizime pa sens, lipset strategji. Sigurisht, nuk e kam fjalën për llogje fjalësh, për ecje kuturu, për manovra me koncepte amatoreske, por seriozitet, gatishmëri, përgjegjshmëri, konstruktivitet dhe vizion të mirë përcaktuar. Fundja, Maqedonia nuk ka asnjë sekondë kohë për të humbur. Për elitën maqedonase, faktori kohë është sa privilegjues, po aq edhe hakmarrës. Në këtë kuptim gjithçka duhet nisur nga vetëdijesimi kolektiv, jo përmes referendumeve, as përmes zgjedhjeve të parakohshme, por në kuadër të sugjerimeve të SHBA-ve. Maqedonasit, në tërësinë e tyre, gjenden mes dy alternativave: ose të ngatërrohen dhe të bëhen lëmsh në rrjetën e Gligorovit dhe Cervenkovskit, ose të dalin nga aty dhe të hyjnë në fushën e standardeve perëndimore. Më vjen habi sesi politika maqedonase, elitat, shoqëria civile, mediat e kanë marrë me kaq lehtësi këtë punën e pakryer të ftesës. Jam i sigurt që shtete të natyrës së Maqedonisë do të hapnin debate intensive, për të nxjerrë mësime nga pësimi; ndoshta është rasti me fantastik, që maqedonasit të kuptojnë partneritetin e SHBA-ve, ndihmën e tyre të dhënë pa dorashka diplomatike. Heqja e palltos së mendësisë së vjetër gligoroviane dhe veshja e stofit perëndimor do të krijonte premise reale për marrjen e ftesës. Sa për punën e Greqisë, maqedonasit duhet ta peshojnë trurin diplomatik. Më shumë sesa kërcitja e dhëmbëve, më tepër sesa mllefi, fudullëku, inati, them se vlen qëndrimi amerikan. Këta të fundit nuk harrojnë, as nuk bëjnë shaka…

***

Në krye të shkrimit, theksova nevojën e unitetit të qëndrimeve duke aluduar më palën maqedonase, mirëpo në këtë histori procesi ,unifikimi drejt një objektivi është i përmasave më të mëdha. D.m.th., partitë politike më të zëshme shqiptaro-maqedonase nuk duhet të kenë asnjë ekuivok, meqë flitet për shpresën dhe të ardhmen e përbashkët. Në këtë rrafsh objekti është qasja racionale për të marrë biletën e ftesës. Mirëpo zigzaget në këtë kohë të artë janë ngulfatëse, pse jo vdekjeprurëse. Nga kjo pikëpamje shtrohet pyetja pse nuk është koha e zgjedhjeve të parakohshme të provokuara nga opozita shqiptare dhe të mbështetura nga VRMO-DPMNE? Së pari, BDI-ja bën autogol sepse deklarata e kësaj partie menjëherë pas përfundimit të Samitit të Bukureshtit bien ndesh me variantin e propozuar. "Në Bukuresht u dëshmua se Republika e Maqedonisë ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për të marrë ftesë për në NATO. Ka mbetur vetëm zgjidhja e kontestit të hapur me Greqinë".

Ky ishte qëndrimi zyrtar i opozitës shqiptare. Duke iu referuar kësaj deklaratë, përse u bë pishman lidershipi i BDI-së. Meqë paska vetëm një problem dhe qenka ai me Greqinë, përse u dashkan zgjedhjet e parakohshme? Përgjigja është fare e thjeshtë. Taktizimet e BDI-së janë për hesape fëminore dhe shumë meskine, për shkak se zgjedhjet e parakohshme sfumojnë objektivin dhe ulin ritmin e direktivave të SHBA-ve të cilët po thonë shpejtoni, nuk ka kohë për zvarritje. Dhe më kryesorja, BDI-ja më vetëdije kërkon të bëhet pjesë e problemit, duke tentuar të frenojë procesin e realizimit të aspiratave të shqiptareve. Gjashtë kërkesat e PDSH-së, e orientojnë BDI-së drejt trukeve, që në gjuhën e thjeshtë do të thotë, frenim dhe pengim i realizimit të të drejtave shqiptare. Nëse nuk është kështu, atëherë BDI-ja ofertën për zgjedhje të parakohshme do ta zëvendësonte me solidarizimin e grupeve punuese, për të përshpejtuar ritmin e implementimit të gjashtë kërkesave. Fatkeqësisht, z.Ahmeti po humbët edhe sensin e logjikës elementare duke tentuar ta fusë procesin në zgrip. Sikundër edhe VMRO-DPMNE, po reflekton amatorizëm, zërat për aprovimin e zgjedhjeve të parakohshme flasin për manire me standarde të dyfishta. Për rrjedhojë, duke e shikuar planimetrinë e hartës politike në këto hapësira, me keqardhje shohim se kemi deformim dhe shkapërderdhje në vendosjes. Një grup kërkon ekskluzivisht përqendrim për zgjidhjen e emrit, disa mendje japin deklarata as mish as peshk, ndërkaq, të tjerë dërdëllisin për zgjedhje. Kësaj i thonë rrëmujë e paparë!

***

E pra, rast më fatlum sesa këtë radhë nuk besoj se do të kenë maqedonasit, mbështetje më të fuqishme as në ëndërr nuk do ta shohin. Prandaj është koha të hapen kartat. Një shans që nuk duhet humbur! Meqë shkrimi vërtitet rreth procesit që ka të bëjë me zgjidhjen e emrit me Greqinë, meqë problemi për të ardhmen e këtij shteti doli sheshit se qenka përtej kuadratit të kufijve administrative, u certifikua edhe një e vërtetë e papranuar nga pala maqedonase. Shqiptarët janë dashamirës të këtij shteti! Sikur maqedonasit të ishin esëll dhe jo të matufosur, ky shtet do të kishte një telash më pak. Madje s'do kishte nevojë as për paralajmërimin e z.Thaçi për ndezjen e semaforit të kuq. Por, ja që përmes ultimatumit u korrigjua e padrejtësia historike dhe papritur dikush kërkon ta rrënojë këtë proces. Grupet punuese për ligjin e gjuhës dhe të rënët gjatë konfliktit, janë një fillim i mbarë. Ndërsa shqiptarët fitojnë të drejtat e tyre, shteti fiton luajalitetin e etnikumit determinues për ekzistencën e tij.

Në këtë mes nuk ka as humbës dhe as fitues. E vendosa theksin në këtë pikë, meqë këto ditë po hasim në akrobacira dhe luhatje politike. Thënë më qartë procesi tentohet të stopohet nga dy anët. Ndërsa pala maqedonase ende nuk i ka shtrënguar rripat për të ndërtuar një strategji në vijë të direktivave të SHBA-ve, lidhur me emrin, nga ana tjetër, opozita shqiptare po bën naze dhe tenton të hyjë si pykë për të ndalur vrullin e implementimit të gjatë kërkesave shqiptare. Ndërkaq SHBA-të, përmes Rosemary Di Carlo, u prononcuan serish "Të vazhdojë dialogu për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe të shohim një zgjidhje të shpejtë". Së këndejmi, kush devijon nga agjenda e SHBA-ve është i destinuar për ta thyer kokën. E përsëris, ata nuk bëjnë shaka!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›