E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Brenda 2 vitesh, investim në çdo projekt rural



Ministri i Punëve të Jashtme vijoi dje takimet me banorët e komunës Labinot Mal, nga ku premtoi se brenda dy viteve të para të mandatit të dytë, qeveria “Berisha” do të investojë çdo projekt në zonat rurale. Duke qëndruar në këtë komunë, Basha tha se janë investuar 1.5 milionë dollarë në vepra infrastrukturore, të pakrahasueshme me 8 vitet e qeverisjes socialiste. “Brenda dy viteve të para të mandatit të dytë të PD-së, çdo rrugë do të jetë e asfaltuar, çdo shkollë e konstruktuar dhe po ashtu edhe çdo spital e qendër ambulatore”, - deklaroi Basha. Ai tha më tej se qeveria në këto katër vite ka faktuar se di të mbajë premtime të mëdha dhe se ai do të vinte kokëlartë në Elbasan me të gjithë deputetët e PD-së për të parë se të gjitha këto premtime do të mbahen. “Këto projekte të kësaj komune, si deputet i ardhshëm i Elbasanit, bashkë me deputetët e tjerë të ardhshëm që kam këtu rreth meje, do t’i shndërrojmë në realitet brenda dy viteve të para të qeverisë”, - u shpreh Basha. Duke qëndruar në alternativën e krahut tjetër, Basha tha se ka shumë ndryshim. Sipas tij, Rama inicion çdo investim duke pasur parasysh që atë t’ua japë miqve të tij. Ministri i Jashtëm hodhi akuza të ashpra ndaj kreut të PS-së, Edi Rama, duke e cilësuar si të korruptuar. “Përballë këtij modeli, - tha Ministri Basha, - qarkullon ai i Ramës, i cili në çdo investim që bën, sheh interesin e tij personal dhe atë të miqve të tij”. Ai mori si shembull mungesën e shkollave të Tiranë, ku nxënësit janë dyndur nga 50 vetë në klasa dhe kjo sipas Bashës, ka ardhur për shkak se Rama nuk ka interes të ndërtojë shkolla. “Tirana nuk ka sot plan urbanistik, ka mungesë shkollash dhe ka rrugë të cilat janë shkatërruar plotësisht vetëm pak muaj pas përurimit”, - tha Basha përpara banorëve të komunës Labinot Mal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›