LMN: PS duhet të qëndronte në seancë
Vetëm 15 minuta ka qëndruar grupi parlamentar socialist në seancën e djeshme, duke bojkotuar punimet e mëtejshme të Kuvendit. Deputetët e njohur ndryshe si përkrahës të mendimit ndryshe në këtë parti, Kastriot Islami, Marko Bello e Arben Malaj, e kanë cilësuar të gabuar këtë veprim. Pas seancës ata u shprehën kundër bojkotit të seancave nga grupi i tyre, ndërkohë që kërkuan që PS të bëjë një opozitë të vërtetë në Parlament. Sipas Islamit, lufta politike duhet të bëhet në Kuvend, kurse Malaj tha se ka votuar kundër daljes nga salla e Kuvendit, pasi, sipas tij, opozita duhet të bëjë një opozitë të vërtetë parlamentare. Por megjithatë, ai e cilësoi një kombinim të mirë luftën në Kuvend dhe protestat në rrugë, ndërsa Marko Bello tha se vendimi për të hyrë në Kuvend është një qëndrim racional, sepse opozita bëhet vetëm në sallën e Parlamentit, ku opozita duhet të demonstrojë që është një forcë konstruktive dhe e aftë për debat politik.