E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS, në Kuvend për mandatet e biznesmenëve

Dokle: Në Kuvend dhe në protesta për të gjetur transparencën

Transparenca e zgjedhjeve ka qenë përsëri shkaku i diskutimeve të djeshme në seancë plenare. Opozita shkoi në Kuvend për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve dhe bojkotoi seancën plenare. Ky qëndrim i socialistëve u konsiderua si jo i drejtë nga mazhoranca. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, pohoi se qëndrimet e fundit të socialistëve tregojnë më së miri se ajo nuk kërkon transparencën e zgjedhjeve, por erdhi në Kuvend vetëm për mandatet e 30 biznesmenëve që ka në grupin parlamentar. Sipas tij, nëse PS kërkon hapjen e kutive të votimit, duhet ti drejtohet Gjykatëse Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. Ndërsa kreu i deputetëve demokratë, Astrit Patozi, pohoi se opozita nuk mund të arrijë asgjë me kërcënimet e saj. Debatet Pas largimit nga salla e Kuvendit të deputetëve socialistë, numri 2 i qeverisë e konsideroi sjelljen e opozitës si hipokrite. Zëvendëskryeministri Ilir Meta tha se qëllimi i vërtetë i Partisë Socialiste nuk është transparenca e zgjedhjeve, por destabilizimi i vendit. Këta nuk duan transparencën e zgjedhjeve, po destabilizimin dhe turpërimin e Shqipërisë, - tha Meta. Ai shtoi se mazhoranca ka plotësuar të gjitha kërkesat legjitime të opozitës, përmes të cilave mund të realizohet plotësisht transparenca e zgjedhjeve. Kreu i diplomacisë shqiptare ka pohuar më tej se opozitës iu deshën plot gjashtë muaj për të paraqitur 2 nisma, ndërkohë që këtë gjë mund ta kishin bërë që në fillim. Duan kryetarin, e kanë; duan të hetojnë për financime të dyshimta, të hetojnë; duan të hetojnë për kutitë, le ti drejtohen Kushtetueses dhe Komisionit të Venecias, - u shpreh zëvendëskryeministri. Ndërsa kreu i grupit parlamentar, Astrit Patozi, pohoi se PS ka të drejtën e saj të vijë dhe të dalë nga Kuvendi, por duhet të respektojë Parlamentin. Sipas tij, mazhoranca i ka dhënë dy mundësi shumë të mira opozitës për të bërë transparencën e zgjedhjeve dhe kjo është nëpërmjet komisionit hetimor apo 100 prokurorëve. Por sipas tij, opozita nuk kërkon këtë gjë dhe pasi ka harxhuar të gjithë fishekët në seancën maratonë i kthehet debatit nga e para. Ai shtoi se socialistët kanë të drejtat e tyre, por në të njëjtën mënyrë duhet të zbatojnë dhe detyrimet që janë respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve. Jeni të lirë për protesta e letra të hapura, por ta harroni se përmes kërcënimeve do na detyroni të shkelim ligjin, - shtoi më tej Patozi. Kritika për largimin nga salla të opozitës ka bërë dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, sipas të cilit konsensusi arrihet në tryezë, duke diskutuar dhe paraqitur pikëpamjet dhe jo duke bojkotuar e protestuar. Ndërsa për deputetin demokrat, Edi Paloka, socialistët i ka zili edhe shoku Lenin: Po zbatojnë tezën një hap para, dy hapa mbrapa, - tha ai. Paloka kritikoi vendimin e socialistëve për të protestuar pikërisht në prill, kur është një moment shumë i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë. Reagimet e demokratëve erdhën pas fjalës së deputetit Namik Dokle në emër të socialistëve. Dokle deklaroi në sallën e Kuvendit se seanca e fundit parlamentare vuri në pah mungesën e plotë të vullnetit të PD-së për zgjidhjen e krizës që po rëndohet çdo ditë e më shumë. Dokle pohoi se zgjedhjet e ardhshme janë në rrezik nga mungesa e transparencës. Grupi parlamentar i PS-së nuk do të ndërpresë luftën për të gjetur plotësimin e kërkesave të saj, nuk do të lejojmë që të përsëritet përsëri Ruzhdia, ne do të jemi së bashku me popullin në protesta për të gjetur transparencën edhe në Parlament do të jemi për të kërkuar transparencën, - përfundoi Dokle, duke u larguar më pas së bashku me socialistët e tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›