LONDËR – ”Eurostar” ndalon trenat e linjës Londër-Paris pas gjetjes së një bombe të LIIB

LONDËR, 7 mars /ATSH-DPA/ – ”Eurostar” ka pezulluar shërbimet mes Londrës dhe Parisit për pjesën e mbetur të ditës së sotme, pas gjetjes së një bombe të pashpërthyer të Luftës së Dytë Botërore pranë shinave në kryeqytetin francez.
Mijëra pasagjerë po përballen me ndërprerje të udhëtimit pasi operatori kishte planifikuar të drejtonte 32 trena në të dy drejtimet gjatë gjithë ditës.
Një turmë e madhe pasagjerësh që kishin rezervuar bileta për shërbimet e prekura nga kjo situatë, u mblodhën jashtë zonës së regjistrimit në stacionin London St Pancras.
E premtja është një nga ditët më të ngarkuara të javës për “Eurostar”, pasi shumë njerëz udhëtojnë në fundjavë për pushime jashtë vendit.
Një zëdhënës i operatorit tha se bomba u gjet gjatë punimeve pranë stacionit “Gare du Nord”, në veri të Parisit qendror.
Shërbimet do të lejohen të rifillojnë vetëm pasi të kenë përfunduar “operacionet e pastrimit të minave” nga policia franceze, shtoi zëdhënësi.
”Gare du Nord” përdoret gjithashtu për shërbimet kryesore në Francë dhe konsiderohet stacioni hekurudhor më i ngarkuar në botë pas Japonisë.
Operatori kombëtar i trenave të Francës, SNCF, deklaroi se shërbimet në ”Gare du Nord” do të pezulloheshin deri në mesditë me kërkesën e policisë.
Shërbimi ”Eurostar” midis Londrës dhe Brukselit nuk preket nga kjo situatë./ /i.s/