E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Votimi nga jashtë, Celibashi: Zarfi do t’u dërgohet nga data 8 – 16 prill, shërbim ekspres dhe i gjurmueshëm

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi bëri sot të ditur se shtetasve shqiptarë të cilëve iu është miratuar kërkesa për regjistrim në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, fleta e votimit synohet t’iu dërgohet mes datave 8 e 16 prill.

Gjatë një konference për mediet, Celibashi tha se deri në fund të javës që vjen do të kenë përfunduar edhe procedurat që lidhen me përzgjedhjen e operatorit të shërbimit postar. Sipas Celibashit do të jetë një operator i njohur ndërkombëtar, ekspres dhe i gjurmueshëm.

“Do të shohim si shkon procesi i regjistrimit dhe miratimit të listave shumemërore. Nëse ky proces shkon normalisht, në kuptim të afateve, ne midis fundit të javës së parë të prillit dhe javën e dytë të prillit do të dërgojmë fletët e votimit dhe dokumentacionin zgjedhor për votuesit nga jashtë. Pra synojmë që mes datës 8-16 prill të përfundojmë procesin e dërgimit të fletëve të votimit nga jashtë. Kështu në këtë mënyrë kemi gjithë kohën në dispozicion, ne po e po, por edhe votuesit kanë kohë për të plotësuar dhe kthyer mbrapsht në KQZ”, tha Celibashi.

“Besoj deri në fund të javës tjetër do të kemi përfunduar procedurat që lidhen me përzgjedhjen e operatorin e shërbimit postar dhe sipas kërkesave tona, por edhe të ligjit, do të përzgjedhim një prej operatorëve të njohur ndërkombëtarë dhe do të kërkojmë që dërgimi dhe kthimi i fletës së votimit të jetë ekspres dhe natyrisht dhe i gjurmueshëm”, tha Celibashi.

“Ne kemi pasur kontakte, kohë më përpara me të gjithë, 3 ose 4 muaj për përpara me të gjithë pa përjashtim, përfshirë Postën Shqiptare, për të kuptuar nga pikëpamja teknike se si zhvillohet procesi i dërgimit dhe i mbërritjes së dërgesave të ndryshme postare, kjo për të na ndihmuar ne, për të na përgatitur termat e referencës për procedurën përkatëse konkurruese”, shtoi Celibashi.

“E kam bërë publik faktin se ne në këtë tentativë të parë, do të ftojmë ato brande ndërkombëtare të cilat janë të mirënjohura për shërbimin postar dhe do të përjashtojmë Postën Shqiptare, se vetë ligji e ka përjashtuar”, u shpreh Celibashi.

Celibashi theksoi se “ne sigurojmë që nga momenti që votuesi nga jashtë fut fletën e votimit në zarf e deri në momentin që nis procesi i numërimit, integriteti i votës është i sigurtë 100%, fshehtësia e votës është 100%”.

“Se çfarë do të bëjë votuesi me fletën e votimit në shtëpinë e vet, askush nuk mund ta thotë. Nëse do të ketë evidenca që vota në një rast të caktuar është pasojë e shitblerjes, intimidimit apo demonstrimit nga dikush në mënyrë publike se për kë ka votuar, do të ketë pasoja dhe të karakterit penal. Nuk është kërcënim, por është ajo çfarë parashikon ligji. Ka pak vend për të pasur frikë për integritetin e votës nga jashtë”, tha Celibashi.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›