E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – Wang: SHBA duhet ta dijë se Rripi i Gazës u përket palestinezëve

PEKIN, 7 mars /ATSH-ANSA-AA/ – Gaza u përket palestinezëve dhe ndryshimi i statusit të saj me forcë nuk do të sjellë paqe, por vetëm kaos të ri, deklaroi ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, lidhur me propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e Rripit.

“Ne duhet të punojmë drejt zgjidhjes me dy shtete”, theksoi Wang në një konferencë shtypi në kuadër të Kongresit Kombëtar të Popullit.

”Pa paqe në Lindjen e Mesme nuk ka stabilitet në botë”, shtoi ai.

Wang tha se “Gaza është e palestinezëve, është pjesë integrale e tokave palestineze. Ndryshimi i statusit të Gazës me forcë nuk do të sjellë paqe, por vetëm kaos”.

Ai tha se vendi i tij mbështet planin të udhëhequr nga Egjipti dhe vendet e tjera arabe për sigurimin e paqes në Gaza.

Duke e kritikuar SHBA-në pa ia përmend emrin, Wang tha se “nëse vendi i madh interesohet vërtet për popullin e Gazës, ai duhet të promovojë paqen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, të rrisë ndihmën humanitare dhe të kontribuojë në rindërtimin e Gazës, duke respektuar parimin se ‘Palestina duhet të udhëhiqet nga palestinezët”.

Më tej duke theksuar se pa paqe në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet stabilitet në botë, Wang shtoi se ”çështja palestineze ka qenë gjithmonë në qendër të problemit të Lindjes së Mesme. Konflikti izraelito-palestinez po përsëritet vazhdimisht sepse është realizuar vetëm gjysma e zgjidhjes me dy shtete. Shteti i Izraelit ekziston për një kohë të gjatë, por shteti i Palestinës është ende i paarritshëm. Komuniteti ndërkombëtar duhet të fokusohet më shumë në zgjidhjen me dy shtete në periudhën e ardhshme dhe të ofrojë më shumë mbështetje për shtetin e pavarur të Palestinës. Vetëm atëherë Palestina dhe Izraeli mund të ekzistojnë së bashku vërtet në paqe dhe popujt arabë dhe hebrenj të jetojnë së bashku në miqësi të qëndrueshme”./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›