Rama: Iluzion të besosh se nuk prekesh nga politika, anëtarësimi në BE i bën gjërat të pakthyeshme

TIRANË, 7 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se deri sa Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian ka gjëra që nuk do të jenë të sigurta, të garantuara dhe të pakthyeshme.
Për herë të parë, fituesit e çmimit të madh Ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh”, një nga nderimet më të larta europiane për personalitete me kontribut në bashkimin dhe përparimin e Europës, u mblodhën sot në Tiranë, për dialogun mbi rolin e rinisë në të ardhmen e kontinentit.
Duke folur në panelin e kësaj konference, Kryeministri Rama u ndal te rëndësia e angazhimit në politikë si qytetarë, ndërsa u rikujtoi të rinjve faktin se sa më shumë të rrish larg politikës, aq më të larta janë shanset që të prekesh negativisht prej saj.
“Nuk dua të marr shumë prej kohës tuaj duke u kthyer 35 vjet më parë kur isha po aq i ri sa të pranishmit në auditor dhe u përfshiva në lëvizjen për të ndryshuar dhe kërkuar një tjetër mënyrë jete, lirinë. Ajo që dua të them është se nuk jam i lumtur kur shoh të rinj që nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është politika dhe besojnë se duke e konsideruar politikën si diçka të pistë, larg tyre, që nuk duan të kenë aspak të bëjnë, mendojnë se i ikin, por nuk ikin dot”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se politika të ndjek pas gjatë gjithë kohës dhe është iluzion të besosh se nëse rri larg nuk do të prekesh.
“Përkundrazi, sa më shumë të rrinë jashtë saj aq më shumë janë shanset për t’u prekur negativisht prej saj. Sepse ajo ka të bëjë me angazhimin si qytetar. Të angazhohesh si dikush që kujdeset për të drejtat e tij”, tha Rama.
Ndaj, kryeministri theksoi se pikërisht për këtë arsye është kaq i fiksuar për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE.
Rama falënderoi pjesëmarrësit në këtë konferencë, veçanërisht Jürgen Linden, kryetar i bordit drejtues i “International Charlemagne Prize”, i cili pranoi edhe organizimin e kësaj nisme të përbashkët.
Në këtë drejtim, kryeministri propozoi krijimin e një Çmimi të dytë për të Rinjtë Europianë.
“Vitin tjetër mund të organizojmë që të jepet Çmimi për Europianët e Rinj. I kemi të gjitha mjetet për të organizuar një komitet që të bëjë zgjedhjen e duhur”, shtoi Rama.
Po ashtu, Rama falënderoi edhe Martin Schulz, ish-president i Parlamentit Europian dhe laureat i çmimit “Karlspreis”, i cili drejton fondacionin “Friedrich-Ebert”.
“Jam shumë i lumtur që patëm mundësi të riangazhoheshim në këtë aktivitet që e kemi nisur shumë kohë më parë”, tha ai.
Po ashtu i pranishëm në këtë konferencë ishte edhe René van der Linden, President Nderi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilin kryeministri e konsideroi mik të popullit shqiptar. “Një politikan holandez i cili arrin të lundrojë mjaft mirë mes të qenit holandez dhe europian”, shtoi ai.
Po ashtu, Rama veçoi pjesëmarrjen në këtë konferencë të Veronika Tsepkalo, pjesë e opozitës bjelloruse, laureate e çmimit “Karlspreis”.
“Nuk do ta falënderoj zonjën që gjendet këtu, sepse ajo dhe bashkëshorti i saj janë tashmë pjesë e komunitetit tonë qytetar të këtij vendi. Ne jemi shumë krenarë dhe të privilegjuar që kemi këta dy njerëz të guximshëm mes nesh”, tha ai.
/r.e//a.f/