E Shtunë, 31 Tetor 2026

18 dhjetori, sot është dita e migrantëve

Në vitin 2000, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së caktoi 18 dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve, pasi kjo datë përkon me miratimin më 18 dhjetor 1990 të konventës ndërkombëtare "Për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre". Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve (18 dhjetor), Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) është shprehur se migrantët duhen parë si pjesë e zgjidhjes së krizës ekonomike që po kalon bota. Kështu, qeveritë duhet të njohin kontributin pozitiv që kanë mundësi të japin migrantët për ripërtëritjen dhe rritjen ekonomike në vend dhe, për këtë arsye, duhet t‘u hapin dyert atyre gjatë periudhave të rënieve ekonomike. Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Migrantëve, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka prezantuar edhe Raportin e vitit 2008 për Migracionin në botë. Në raport, IOM-i shprehet se kërkesat për efikasitet sa më të lartë në prodhim si përgjigje ndaj konkurrencës së ashpër në nivel botëror, nënkuptojnë se punëtorët, pavarësisht nga vendndodhja e tyre gjeografike, janë pjesë e një ambienti përherë e më të ndërthurur në fushën e punësimit, çfarë rezulton në një lëvizje gjithnjë e më intensive për qëllime punësimi. Raporti vëren se më tepër se 200 milionë migrantë ndërkombëtarë numërohen sot në botë, shifër dy herë e gjysmë më e lartë se ajo e vitit 1965, dhe me mjaft vende të cilat njëkohësisht janë vende të origjinës, tranzitit dhe të destinacionit të migrantëve, lëvizja njerëzore është tashmë një zgjedhje e jetës e nxitur nga pabarazitë në demografi, në të ardhura, si dhe në mundësi punësimi, përtej dhe brenda rajoneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›