E Shtunë, 31 Tetor 2026

LRI-ja dhe FRESSH-i kërkojnë më shumë vëmendje për të rinjtë



Forumet rinore të partive të majta, FRESSH dhe Lëvizja Rinore për Integrim, në Ditën Botërore të Rinisë kërkojnë më shumë vëmendje, hapësirë dhe angazhim nga politika për rininë shqiptare. Lëvizja Rinore për Integrim ka deklaruar se për fat të keq të rinjtë shqiptarë, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të shumtë në botë, ndodhen përpara problematikave të shumta. “Të rinjtë shqiptarë duhet të përballen me një sistem arsimor që çdo ditë e më shumë vetëm eksperimenton. Deklarata e Bolonjës, e nënshkruar nga shteti shqiptar, thjesht montohet ne mënyrë mekanike, duke e bërë të pasigurt të ardhmen e çdo të riu në tregun e punës. Gjithashtu, megjithëse të rinjtë përbëjnë më shumë se 1 milionë të gjithë popullsisë shqiptare, ata janë kategoria më e diskriminuar në tregun e punës, çka sjellë pamundësinë për të ndërtuar jetën në vendin e tyre duke sjellë njëkohësisht largimin përtej kufijve të Shqipërisë. Një fenomen tepër shqetësues për të rinjtë shqiptar, është edhe mungesa e terreneve sportive dhe ambienteve të tjera çlodhëse, të cilat dita-ditës po zëvendësohen më komplekse betoni, duke i larguar të rinjtë nga sporti dhe jeta aktive si dhe duke i kthyer në konsumator të një jete pasive dhe pa perspektiv”, - thuhet në deklaratën për shtyp të LRI-së. Ndërkohë, FRESSH, në reagimin e tij, ka ngritur si shqetësim punësimin dhe me humbjen e shpresës së të rinjve shqiptarë. Përsa i takon punësimit, janë përpara syve të të gjithëve me mijëra fëmijë nën 16 vjeç, të cilët enden rrugëve duke shitur paketa cigaresh, duke qëndruar si shitës ambulantë, duke larë makina nëpër lavazhe, apo edhe duke mbledhur kanoçe pranë koshave të plehrave. Çfarë nismash ka ndërmarrë Ministria e Çështjeve Sociale e zotit Kosta Barka për të frenuar ekspansionin e punësimit të paligjshëm, në të zezë dhe në kushte barabar, për ata të mitur që në vend të mësojnë si të hedhin hapat e tyre në jetë, detyrohen të mbushin fabrika apo punishte, për t’u qepur këpucët “bejlerëve të rinj”, ndërkohë që ata vetë nuk kanë këpucë për të veshur?! Për ta mbyllur, duam të theksojmë me shqetësim vetëvrasjet e shumta të të rinjve kohët e fundit, sidomos nëpër rrethet e vendit, çka është pa dyshim pasojë e depresionit dhe e varfërisë në të cilën i ka zhytur qeveria e Gërdecit njerëzit, një qeveri e cila në vend t’u garantojë punë dhe një të ardhme, natën bën trafik predhash mbi kokat e tyre dhe ditën iu mburret se ka rritur eksportin e lulelakrës”, - thuhet në deklaratën për shtyp të FRESSH-it.

13 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›