E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja dhe LSI-ja, negociata të drejtpërdrejta për reformën zgjedhore



Shaban Sulçe

Forcohen sinjalet pozitive për një bashkëpunim të mundshëm midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dy forcat kryesore të së majtës, të cilat prej mëse 7 muajsh kanë ndërprerë bashkëpunimin midis tyre, po tentojnë të rigjejnë gjuhën e përbashkët pas sherreve dhe përplasjeve që i kanë karakterizuar gjatë kësaj periudhe. Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, ka bërë dje të ditur se gjatë muajit të fundit është takuar në mënyrë informale me kryetaren e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj. Xhufi tha se qëllimi i këtyre takimeve ka qenë negociata për një bashkëpunim të mundshëm midis PS-së dhe LSI-së, bashkëpunim që fillimisht ka të bëjë me realizimin e pikave të pazgjidhura të reformës zgjedhore. Zëvendëskryetari i LSI-së tha se pavarësisht se takimet e para nuk kanë qenë të frytshme, LSI-ja shpresonte në suksesin e këtyre negociatave, pas rifillimit të tyre në muajin shtator.

Reforma zgjedhore
Negociatat midis LSI-së dhe PS-së për të bashkëpunuar midis tyre morën shkas nga realizimi i Kodit të ri Zgjedhor. LSI-ja kërkoi të negocionte me ish-aleaten e saj, duke shpresuar në arritjen e një marrëveshjeje përpara realizimit të Kodit të Ri Zgjedhor, që siç u deklarua nga dy partitë e mëdha, pritej të përfundonte brenda muajit korrik. Por duke qenë se Kodi i ri Zgjedhor ende nuk ka përfunduar, kjo duket se i ka lënë kohë dy partive të mëdha për të negociuar. “Natyrisht edhe për të ndërtuar një urë bashkëpunimi me Partinë Socialiste, e cila ka ecur në mënyrë të njëanshme gjatë gjithë kësaj kohë për çështje të reformave, veçanërisht të reformës elektorale, ne bëmë një kërkesë zyrtare, një ofertë për t’u takuar dhe për të biseduar në radhë të parë për çështjet e Kodit Zgjedhor, që është edhe detyra më emergjente e politikës sot. Për fat të keq, me gjithë ngacmimet dhe takimet informale që ne kemi bërë gjatë muajit të kaluar, nuk u arrit që të bëhej ky takim. Sigurisht, jo për fajin tonë. Përveç dy-tre takimeve informale që kam pasur me kolegen time, zonjën Leskaj, ajo nuk u mandatua nga partia e saj për të bërë një diskutim zyrtar dhe formal për çështjet e shtruara”, - tha kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi. Ai shtoi se oferta e LSI-së është gjithmonë e hapur dhe se shpresonte që këto takime të realizoheshin në muajin shtator.

Mocioni ndaj Topallit
I pyetur nga gazetarët për çështjen e mocionit të shkarkimit të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Xhufi tha se LSI-ja e kishte mbështetur iniciativën e ndërmarrë nga Partia Socialiste. Ai theksoi se LSI-ja ishte e gatshme ta çonte përpara këtë nismë, në rast se PS-ja do ta tërhiqej prej saj, apo nëse do t’ia besonte LSI-së. “Është Partia Socialiste ajo që e ka ndërmarrë një nismë të tillë dhe që ne e kemi mbështetur fuqishëm, pavarësisht nga raportet që kemi pasur këto kohët e fundit. E kemi mbështetur pikërisht pasi mendojmë se zonja Topalli është kthyer tashmë në një mallkim për vetë Parlamentin, për politikën shqiptare në përgjithësi, por edhe për vetë imazhin e Shqipërisë, qoftë edhe për konfliktet që ajo ka krijuar me partnerët tanë, përveçse me opozitën dhe me opinionin më gjerë. Pra, kemi shprehur përkrahjen tonë në momentin kur u hodh kjo ide, e kemi nxitur dhe inkurajuar Partinë Socialiste që t’i shkojë deri në fund kësaj nisme. Në momentin që Partia Socialiste nuk mund ta ndërmarrë këtë, apo në qoftë se Partia Socialiste na e beson neve këtë nismë, normalisht që mund ta marrim, natyrisht duke pasur edhe garancinë e mbështetjes së Partisë Socialiste, sepse një mocion është një lëvizje politike, por edhe që ka një qëllim. Qëllimi është që zonja Topalli të lëvizet nga vendi i saj dhe që të lëvizet duhet një shumicë votash, dhe për ta arritur këtë shumicë votash, garancia e parë do të ishte edhe vota e deputetëve të Partisë Socialiste”, - u shpreh Xhufi.

Marrëdhëniet midis PS-së dhe LSI-së

Marrëdhëniet midis dy partive kryesore të opozitës kanë pësuar vazhdimisht ndryshime të shumta. Që pas largimit nga Partia Socialiste të liderit të LSI-së, Ilir Meta, marrëdhëniet midis PS-së dhe LSI-së ishin të tensionuara. Dy partitë hynë të ndara në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 dhe ky ishte një nga shkaqet e humbjes së të majtës dhe rikthimit të Sali Berishës në pushtet. Pas ndryshimit të lidershipit të Partisë Socialiste dhe humbjes së zgjedhjeve, marrëdhëniet midis PS-së dhe LSI-së ishin të ngrira. Si të mos mjaftonte kjo, dy partitë kryesore të së majtës u përplasën me njëra-tjetrën për shkak të disa lëvizjeve deputetësh. 10 muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve lokale, pikërisht në maj të vitit 2006, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim përfunduan me sukses negociatat për bashkëpunim midis tyre. Kryetari i PS-së Edi Rama dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, së bashku me krerët e PSD-së Gjinushi, atë të PDS-së Paskal Milo dhe Neritan Ceka të PAD-së, nënshkruan marrëveshjen për bashkimin e opozitës dhe konkurrimin e saj të bashkuar në zgjedhjet lokale. Kjo marrëveshje mundësoi fitoren e të majtës në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007, fitoren e kryebashkiakut Edi Rama dhe konfirmimin e tij në drejtimin e Partisë Socialiste. Pas kësaj, marrëveshjet midis aleatëve të majtë pësuan sërish ngrirje dhe niveli i bashkëpunimit filloi të pësonte ulje, sidomos pas rrjedhjeve të votave nga deputetë të PS-së për zgjedhjen e kandidatit të PD-së për President të Republikës. Në shkurt të vitit 2008 LSI-ja deklaroi zyrtarisht fundin e bashkëpunimit me aleatin e saj. Ajo akuzoi lidershipin e PS-së se nuk i kishte qëndruar marrëveshjes së nënshkruar, sidomos për çështjen e reformës zgjedhore. Nga ana tjetër, LSI-ja akuzoi kryetarin e PS-së Edi Rama se kishte bërë pakt të fshehtë me kryeministrin Berisha, për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të realizuar një reformë zgjedhore, që u shkonte për shtat vetëm interesave të dy partive të mëdha.

13 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›