E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i bregdetit të Jugut, procedurat për lejet e ndërtimit



Plani për zhvillimin e bregdetit të Jugut, i miratuar para pak muajsh dhe në KRTRRSH, përcakton dhe një terren-veprimi lidhur me kushtet dhe mënyrat e kërkesave për të ndërtuar në vijën bregdetare që përfshin ky plan. Plani parashikon atë që quhet “kërkesa për zhvillim”, që nuk është gjë tjetër veçse kërkesa për të ndërtuar në zonat e piketuara nga plani, duke ruajtur kriteret dhe kushtet e vendosura nga studimi i bregdetit. Kërkesat për lejet mund të bëhen nga palë të treta (zhvillues, spekulatorë, agjentë), por duhen firmosur nga zotëruesi i tokës në fjalë. Çdo leje e kërkuar nga këto rregullore do të sigurohet përpara fillimit të punës në çdo zhvillim brenda zonës së planifikimit të bregdetit jugor. Kërkesa më kryesore është ajo për “Lejen e veçantë”, e cila duhet siguruar për të gjitha zhvillimet ekzistuese, të cilat janë ndërtuar pa leje, të tilla që kërkoheshin përpara nxjerrjes së këtyre rregulloreve. Një tjetër leje është ajo që quhet ”Leja e planit të zhvillimit”, e cila duhet siguruar për: çdo projekt të propozuar të zhvillimit të shkallës së gjerë ose të integruar kur trualli i zhvillimit kalon mbi dhjetë hektarë; dhe për çdo ndërtim të propozuar që kalon lartësinë mbi tre kate ose pesëmbëdhjetë metra në pikën më të lartë të çatisë (cilado që të jetë më e lartë).
Zhvillimi
Një tjetër leje është “Leja për përdorim të përkohshëm” e zonës bregdetare jugore. Përdorimet e përkohshme dhe strukturat e përkohshme janë subjekt i një procesi të lejimit të veçantë, ku lejet shqyrtohen dhe rinovohen nëse është e përshtatshme, në cikël trevjeçar. Një tjetër kërkesë për leje mund të bëhet dhe me ato që quhen “Leje variancat”. Variancat mund të lëshohen vetëm nga autoritetet përkatëse të planifikimit për të lejuar devijime që nuk komprometojnë integritetin dhe koherencën e përgjithshme të rregulloreve. Gjithashtu, plani parashikon dhe kërkesat për “ndryshim të përdorimit”, të cilat mund të bëhen si pjesë e kërkesës për zhvillim, duke përdorur formularët standardë të kërkesave për leje. Kur një kërkues ose një zhvillues nuk është në gjendje të paraqesë një skemë të detajuar të planifikimit duke qenë se kërkohet për miratimin e plotë të planifikimit, atëherë duhet përdorur kërkesa për Lejen e Planit të Zhvillimit.
Rrugët
Duke qenë se ky plan paraqet një prioritet për vendin, rreth një muaj më parë qeveria ka nënshkruar një kontratë huaje me Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), në vlerën e 20 milionë dollarëve, ku një privilegj të veçantë kanë rrugët, të cilat përfshihen në “Planin e integruar të bregdetit të Jugut”. Pikërisht ky projekt shikohet si më prioritari në termat e kësaj kontrate huaje me afat 20-vjeçar. Nëse u referohesh termave të këtij projektvendimi të qeverisë, rezulton se kjo hua u referohet kushteve të lehta duke u klasifikuar si një kredi e butë. Sakaq, kontrata parashikon hartimin e disa projekteve për rrugët dytësore, ku në fund të analizës do të përzgjidhen ato studime të cilat ofrojnë perspektivën më të mirë të zhvillimit. Nisur nga fakti se deri sot ekziston vetëm një projekt i kompletuar dhe i përfunduar për rrugët dytësore, e që i takon “Planit për zhvillimin e bregdetit të Jugut”, atëherë përfshirja e këtij bregdeti në termat e kontratës i jep automatikisht një avantazh dhe përparësi këtij projekti.
Habjon Hasani

13 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›