E Shtunë, 31 Tetor 2026

LRI kamping veror ne bregdetin e Jales

Lëvizja Rinore për Integrim po organizon një kamping rinor në bregdetin e Jalës, ku qindra të rinj nga e gjithë Shqipëria, anëtarë dhe simpatizantë të forumit rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim marrin pjesë në aktivitetet politike, kulturore dhe argëtuese gjatë qëndrimit 5 ditor në bregdetin e Jonit. Kampingu “LRI, Jalë 2012”, u hap nga Zv.Kryetari i LSI-së, z. Haxhinasto dhe nga Kryetari i LRI- së, Endrit Braimllari.

Në fjalën e tij Haxhinasto ka përgëzuar të gjithë të rinjtë e LRI-së për kontributin e tyre në rritjen elektorale dhe cilësore të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Haxhinasto, gjithashtu i falënderoi të rinjtë për energjinë pozitive që ata i japin çdo ditë LSI-së. Sipas tij LSI është një forcë politike e cila ka kontribuar për të gjithë shqiptarët, ka kontribuar për integrimin e tyre, para së gjithash mes vetes.
“Ne jemi partia e integrimit. Jemi partia e Evropës. Në vizionin tonë, edhe në dokumentet tonë, të cilët do të trajtohen edhe në Konventën e ardhshme ne do të mendojmë dhe do të paraqesim propozimet tona për Shqipërinë e së ardhmes, për Shqipërinë e 2020, kur besojmë që do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian.”, theksoi ai.

Një çështje themelore për LSI-në, Haxhinasto ka prekur çështjen e punësimit dhe programit ekonomik.
“Lëvizja Socialiste për Integrim do të përpunojë më tej në programin e saj për të ardhmen do të jetë zhvillimi dhe ekonomia, për të cilin Shqipëria ka nevojë. Shqipëria është një vend në zhvillim. Potencialet e saj janë të jashtëzakonshme, potenciale të cilat kanë nevojë të menaxhohen në mënyrë më të mirë, në mënyrë më efikase, në mënyrë më të integruar me qëllim që të garantohet një mirëqenie më e lartë për të gjithë qytetarët shqiptarë.”, theksoi ai.

Në takimin e zhvilluar në bregdetin e Jalës, Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari, ka folur dhe për organizimin e forumit rinor. Ai ka theksuar se pas rezultatit shumë pozitiv që u arriti forumi rinor në zgjedhjet e kaluara, duhet të ketë investime për të pasur rezultate pozitive edhe në zgjedhjet e ardhshme. “Investojmë për ta shumëfishuar kontributin e LRI-së, për të rritur përfaqësimin e LRI-së”, u shpreh kreu i LRI-së. Ai përmendi këtu se se bilanci i përfaqësimit të LRI-së në Këshillat Bashkiake në të gjthë vendin do të jetë një objektiv madhor për të dalë më të suksesshëm në zgjedhjet e vitit 2013, që rinia shqiptare të përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë me të njëjtin bilanc.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›