LSHR-ja prezanton kandidatët për deputetë, Vlashaj: Të rinj me vizion
Tiranë- Partia Lëvizja Shqipëria e Re ka nisur prezantimin e kandidatëve kryesorë nëpër qarqe duke promovuar të rinjtë dhe të rejat që janë angazhuar pranë kësaj partie.
Ekipi i njerëzve që përfaqësojnë Shqipërinë e Re janë të rinj me vizion, që i besojnë sloganit të PLSHR-së për Drejtësi dhe Zhvillim e një Shqipëri pa korrupsion.
Përzgjedhja e kandidaturave që kjo parti po bën bazohet në filozofinë e punës dhe kontributit të gjithsecilit prej tyre. Në bazë të këtyre kritereve janë një numër i madh të rinjsh që po angazhohen për herë të parë në politikë dhe është për tu përshëndetur numri i madh i vajzave dhe grave në këto lista kandidatësh.
PLSHR-ja kërkon votën e shqiptarëve duke u ofruar jo vetëm si një alternativë e re, por si alternativa më e mirë përballë alternativave të vjetra majtas apo djathtas. Kryetari i partisë zoti Edmond Vlashaj u shpreh se PLSHR është një forcë e re politike, një projekt i ri për Shqipërinë e Re, që mishërohet me kandidatura të reja në gjithë territorin shqiptar, me një platformë që iu jep përgjigje preokupacioneve më të mëdha që ka aktualisht shoqëria jonë. Duke prezantuar këta të rinj, ne besojmë të se do të kemi ndihmën tuaj që është sa për kandidatët, aq edhe për familjet tuaja, për komunitetin, për shoqërinë dhe për krejt kombin. PLSHR ka një moral që nuk ngjason me asnjë nga partitë e këtyre 22 vjetëve dhe pikësëpari për ne është parësore vënia në vend e drejtësisë. Ne po prezantojmë në dymbëdhjetë qarqet, as një të keqe dhe as një të keqe më të vogël, por të mirën, Partinë Lëvizja Shqipëria e Re dhe projektin e saj për Drejtësi dhe Zhvillim. Pa drejtësi nuk ka zhvillim, nuk ka lindje dhe rilindje, nuk ka koalicione që herë quhen të natyrshme dhe herë të panatyrshme, por që në thelb mbajnë shkallën e lartë të korrupsionit në shumë nivele.
Vlashaj prezanton kandidatët për deputetë
Partia Lëvizja Shqipëria e Re prezantoi në qarkun e Durrësit, një qark ku kjo parti ka një mbështetje të madhe, kandidatët e saj kryesorë: Hëna Paja, Alban Ismailaj, Aldo Duka dhe Valbona Xhaferri. Në qarkun e Korccës listën e kryeson Elona Hasimllari, Enerida Hoxha dhe Neritan Seferkolli, ndërsa në qarkun e Fierit PLSHR duke u besuar sërish të rinjve të angazhuar ka prezantuar Fabiola Kajana, Daniela Brace dhe Gazmend Shkrela. Listën për qarkun e Vlorës e kryesojnë pedagogia Anisa Duka dhe i riu Donald Habilaj, ndërsa në krye të listës për Qarkun e Elbasanit është pedagogu i shkencave shoqërore, Ervin Kujtila i cili do të ndiqet nga të rinj e të reja të tjera që po japin çdo ditë kontributin e tyre pranë kësaj partie.