Ashton dërgon Lajçak në Tiranë më 22 mars
Gjatë vizitave të fundit, Lajçak kërkoi që forcat politike të punonin në funksion të përgatitjes dhe realizimit sa më të mirë të zgjedhjeve të 8 majit
Situata e ndërlikuar prag zgjedhore e ka detyruar Bashkimin Europian të sjellë për herë të tretë brenda pak kohësh në Shqipëri, Miroslav Lajçak. I dërguari special i komisioneres për politikën e jashtme, Catherine Ashton, do të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar më 22 mars dhe ka për objektiv kryesor negocimin mes pozitës dhe opozitës, për gjetjen e zgjidhjes për krizën e rëndë politike. Ashtu sikurse në vizitat e mëparshme, Lajçak do të zhvillojë takime me Kryeministrin Sali Berisha, kreun e opozitës Edi Rama dhe Presidentin Bamir Topi. Kjo është hera e tretë që Lajcak do të vizitojë Tiranën, që prej 21 janarit, kur klima e tensionuar që solli vrasjet në demonstratë ishte arsyeja kryesore e ardhjes së tij në Shqipëri. Gjatë vizitave të fundit, Lajçak kërkoi që forcat politike të punonin në funksion të përgatitjes dhe realizimit sa më të mirë të zgjedhjeve të 8 majit. Duket se edhe vizita e tij më 22 mars, në prag të fushatës elektorale, do të fokusohet kryesisht në çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet vendore. Më herët ishte lajmëruar se shefja e politikës së jashtme, Catherine Ashton, ashtu sikurse komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Stefan Fule, ishin të gatshëm të vinin në Shqipëri nëse palët do të shprehnin shenjat e gatishmërisë për dialog. Teksa diçka e tillë nuk ka ndodhur, duket se Lajcak do të ndërmjetësojë nga afër për të kuptuar problematikën e zgjedhjeve dhe përgatitjen e infrastrukturës për procesin e 8 Majit. Sakaq, opozita nga ana e saj do të nisë që sot të artikulojë publikisht provat, në lidhje me atë çka e cilëson skemë e mazhorancës për të manipuluar zgjedhjet lokale.