E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi, Topi: Stop qarqeve të huaja ultranacionaliste

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, nisi dje një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Presidentit Bamir Topi

TIRANË Me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, nisi dje një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Kreu i Shtetit maqedonas, Gjorgje Ivanov dhe delegacioni që e shoqëron, u prit në Pallatin e Brigadave nga Presidenti, Bamir Topi, përmes një ceremonie solemne, ndërsa më pas dy homologët zhvilluan një takim kokë më kokë, që u pasua nga bisedime zyrtare dypalëshe të delegacioneve shtetërore përkatëse. Presidenti Topi dhe homologu i tij maqedonas, Ivanov, zhvilluan dje edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë kësaj konference, i pyetur nga media, Presidenti i Republikës u përgjigj edhe për çështjen e regjistrimit në Shqipëri, ku Topi u pozicionua qartazi kundër presioneve të qarqeve të huaja ultranacionaliste, që kërkojnë të deformojnë këtë proces. “Ndjeshmëria e madhe publike dhe qytetare, të cilën edhe unë si President, por edhe si qytetar, e ndjek me shumë vëmendje, është sepse nga individë, nga apendikse të qarqeve ultranacionaliste, pavarësisht se nga cili vend, nga cili shtet tentohet që të hidhen parrulla, të bëhet një politikë presioni dhe deformacioni të një procesi që duhet të jetë natyral dhe ligjor. Pra, kur themi: ‘Regjistrimi është i domosdoshëm!’, duhet që ky regjistrim të jetë në përputhje të plotë, në radhë të parë me të drejtën bazale të njeriut, për t’u shprehur i lirë dhe për të mos qenë në presion, qoftë për shkak të natyrave politike të presioneve, apo të interesave të caktuara financiare, ekonomike dhe çdo qëllimi tjetër”, - tha dje Topi. Presidenti i Republikës theksoi gjithashtu dje se implementimi sa më i plotë dhe korrekt i Marrëveshjes së Ohrit do të krijojë të gjitha kushtet, që edhe popullsia shqiptare në Maqedoni të gëzojë të gjitha të drejtat legjitime, që do t’i shërbejnë stabilitetit të Maqedonisë dhe perspektivës së këtij vendi mik në familjen euro-atlantike. ”E kam siguruar zotin President, që edhe pakicat maqedonase në Shqipëri gëzojnë të gjitha të drejtat, sipas Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare, ku Shqipëria ka aderuar. Konsiderohen pakica të integruara dhe për këtë kemi marrë edhe vlerësime shumë pozitive, edhe nga Këshilli i Europës. Gjithsesi ne do të vazhdojmë të punojmë fort, që të shkojmë në realizimin më të plotë të standardeve më të larta të Europës edhe për pakicat”, - tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›