SHBA, Kelli: Duhet një proces i drejtë zgjedhor
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë misionit amerikan, në Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, Ian Kelli deklaroi dje se SHBA dhe partnerët tanë europianë janë shprehur me një zë në mesazhet dërguar qeverisë shqiptare dhe Partisë Socialiste, si dhe popullit shqiptar. “Të gjithë duhet t’i përmbahen kushtetutës, të zbatojnë ligjin, të respektojnë institucionet e pavarura dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe plotësisht në procesin zgjedhor”, theksoi ai. Në valën e ngjarjeve të 21 janarit, komuniteti ndërkombëtar ka punuar intensivisht me të dy palët, për një atmosferë që t’i shërbejë dialogut normal politik, tha ambasador Kelli. “Provokimet, përfshirë edhe retorikën e ashpër, nuk u shërbejnë interesave të Shqipërisë”, u shpreh ai. Hetimet e Prokurores së Përgjithshme për ngjarjet e 21 janarit, vijoi më tej diplomati amerikan pranë OSBE-së, duhet të jenë në gjithanshme, të thella dhe të besueshme. Shtetet e Bashkuara, garantoi ai, i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare dhe Partisë Socialiste të shprehin publikisht mbështetjen për autoritetin e Prokurores së Përgjithshme për të kryer hetime të paanshme. Zgjedhjet e 8 majit, tha zoti Kelli, janë një forum i ligjshëm për diskutimin dhe efektin e ndryshimeve politike. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara, krahas ODIHR-it do të vazhdojnë të ndjekin përgatitjet për zgjedhjet dhe janë gati të ndihmojnë për të siguruar një proces të lirë, të drejtë dhe të besueshëm.