E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: “Qeveria të ndalë kufizimet e energjisë elektrike”

Autori i Lajmit: Red.Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon Qeverisë të ndërhyjë urgjentisht për uljen e kufizimeve të furnizimit me energji elektrike. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, tha se ekzekutivi harxhon gjysmën e buxhetit të shtetit për të blerë energji, por këto fonde vidhen duke i zhytur shqiptarët në errësirë. Ai kujtoi se shqiptarët e paguajnë energjinë elektrike. “Arkëtimet për energjinë elektrike janë afërsisht 90 për qind për biznesin dhe mbi 85 për qind për familjarët. Kjo gjë do të thotë që shqiptarët, janë të ndërgjegjshëm për kontributin që duhet t i japin shoqërisë për të paguar energjinë elektrike”, - tha ai. Prifti paralajmëroi se konsumatorët në vitin e ardhshëm do të goditen me një tjetër rritje çmimi prej rreth 20 për qind për konsumatorët familjarë dhe për bizneset, sipas atyre që diskutohen sot në KESH dhe në Entin Rregullator të Energjisë. Numri dy i LSI-së theksoi se situata është lehtësisht e menaxhueshme, nëse nuk do të shpërdorohej KESH-i nga menaxherët aktualë. Ai renditi më pas një sërë faktesh që, sipas Priftit, vërtetojnë më së miri vjedhjet që bëhen në KESH. Sipas tij, Koorporata ka bërë vetëm një blerje energjie me tender ku çmimi ishte 60 deri në 65 euro për megavat/orë, ndërkohë që të gjitha blerjet e tjera janë bërë pa tender dhe me një çmim deri në 82 euro për megavat/orë. “Ka disa muaj rresht që KESH blen energji në këtë mënyrë. Dhe në këto kushte unë kam të drejtë të them se menaxherët e KESH duan ta abuzojnë në kurriz të shqiptarëve që vazhdojnë arkëtimet në mënyrë të rregullt, pavarësisht se gjysmën e ditës nuk furnizohen”, - tha ai duke shtuar se KESH është një kompani e falimentuar, sepse ka dy vjet që nuk paguan furnizuesit e saj. “I bëj thirrje qeverisë që të zgjohet nga gjumi dhe të shikojë me prioritet këtë sektor, sepse nuk ka asnjë zhvillim pozitiv në këtë sektor. Nëse quhen një zhvillim pozitiv lejet koncesionare që jepen sot, po ju them se ato leje po u jepen miqve dhe shokëve të qeveritarëve. Po u jepen për t u rishitur me dy- apo trefishin e shumës së blerë dhe jo për të bërë investime”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 24/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›