E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: “Nuk do të ulemi në tryezën e mazhorancës”

Autori i Lajmit: Suela TopiPartia Socialiste pohoi dje se nuk do të ulet në tryezën e reformës në sistemin e drejtësisë për sa kohë mazhoranca nuk zbaton parimet mbi të cilat është rënë dakord në tryezën e mbledhur nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Erjon Braçe, deklaroi se opozita kishte rënë dakord që nga negociatat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës për një reformë në drejtësi, por kjo reformë nuk mund të zhvillohet sipas konceptit të PD-së, që nuk garanton mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë. Braçe pohoi se opozita ka qenë e vendosur për reformën në drejtësi që në fillim të këtij viti, por, me sa duket, shqetësimi i mazhorancës është thjesht dhe vetëm largimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës. Ai pohoi se mazhoranca nuk synon një reformë në drejtësi, por vetëm shndërrimin e luftës kundër korrupsionit, në një luftë kundër opozitës politike në këtë vend dhe natyrisht ku viktima e parë është pikërisht sistemi i drejtësisë. Madje, sipas tij, me largimin e prokurorit Sollaku, Berisha synon të mbyllë të gjitha aferat korruptive të familjes së tij me rrugën Durrës - Morinë.
Qëndrimi
Braçe sqaroi dje se opozita kishte rënë dakord për pjesëmarrjen e saj për reformën në sistemin e drejtësisë që nga negociatat e për zgjedhjen e Presidentit. Sipas tij, reforma në këtë sistem nuk mund të zhvillohet sipas konceptit të PD-së “hiq njërin dhe vër tjetrin”. “Në këto kushte Kryeministri, ish-nënkryetari i PD-së, Topi dhe mazhoranca po na nxjerrin me shkelma nga tavolina e reformave të rëndësishme, nga tavolina e reformës në drejtësi”, - tha Braçe. Numri dy i deputetëve socialistë pohoi se Kryeministri do të largojë Sollakun nga posti i tij në momentin kur ai po heton në thellësi që sërë çështjesh që lidhen me administratën e Berishës. Madje, ai pohoi se largimi i Sollakut bëhet edhe sepse Berisha do të futë në burg kryetarin dhe deputetët e opozitës. Ai kritikoi më tej dhe ministrin Basha, i cili, sipas tij, nëpërmjet një letre kërkon të shmangë hetimin për të. Madje, Braçe shprehu bindjen se pas zvarritjeve të vazhdueshme, mazhoranca nuk do t i japë të drejtë Prokurorisë për të hetuar ish-ministrin e Transporteve. Ai pohoi se pas kërkesës për shkarkimin e Sollakut është afera korruptive, politike financiare e Berishës në segmentin Rëshen - Kalimash, e cila po zgjerohet në gjithë rrugën Durrës - Morinë. Deputeti socialist akuzoi dhe Topin si shkelës të parimeve të vendosura nga tryeza e partive politike për reformën në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, Presidenti, dy javë më parë, e shkeli tavolinën duke bërë atë që nuk duhet të bënte degjenerimin e reformës thjesht në heqjen e kryeprokurorit me shkak dhe motiv antikushtetues. “Ideja e komisionit doli nga goja e Presidentit Topi. Ky është problemi, nuk jemi ne problemi. Ne jemi gati të ulemi në tryezë në bazë të atyre parimeve, por ne nuk mund të ulemi me të tjera kushte”, - theksoi Braçe.

Ky lajm është publikuar: 24/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›