E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafa: “Duhet reformë për të rritur efiçencën në drejtësi”

Autori i Lajmit: red.Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore pranë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, por njëkohësisht nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, pohoi se opozita kërkon një proces reformash që synojnë rritjen e efiçencës së sistemit të drejtësisë në tërësi dhe organit të akuzës në veçanti. Deklarata e tij vjen vetëm dy ditë para se Kuvendi të debatojë mbi kërkesën e 28 deputetëve të mazhorancës, të cilët kërkojnë fillimin e procedurave për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, zotit Theodhori Sollaku. Ditën e hënë, Komisioni i Ligjeve, me 11 vota pro dhe 9 kundër, u shpreh për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, ndërsa raporti iu paraqit Kuvendit gjatë seancës së pasdites. Mazhoranca, përmes kërkesës së paraqitur në Kuvend, akuzon drejtuesin e Prokurorisë së Përgjithshme për punën e tij të dobët në krye të organit qendror të akuzës. Sipas kërkesës, nga ana e Kryeprokurorit ka mungesë vullneti për të çuar përpara drejtësisë autorët e dyshuar për vepra penale të rënda. Mazhoranca akuzon Sollakun për trajtimin e papërgjegjshëm të çështjeve të pushuara nga gjykata, për mungesë provash.

Ky lajm është publikuar: 24/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›