LSI: Ankesat për zgjedhjet, PS t’i adresohet vetë Komisionit të Venecias

Justifikimit të opozitës se duhet të jenë institucionet shtetërore ato që duhet duhet t’i drejtohet Komisionit Venecias, lidhur me çështjen e fletëve të votimit, reagon Lëvizja Socialiste për Integrim, duke u shprehur se PS, ankesat dhe pretendimet duhet t’i dërgojë vetë atje. Nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili deklaroi sot se PS s’duhet t’i shmanget përgjegjësive dhe se çdo rezervë duhet ta nisë drejt Venecias.
“Rruga me të cilin komunikohet me Komisionin e Venecias është e qartë. Kushdo që ka ankesa dhe pretendime, është ai që i drejtohet Komisionit të Venecias. Kështu që PS e cila ka ankesa apo ka rezerva duhet të ndërmarri dhe nuk e kuptoj pse nuk e ndërmerr një rrugë të tillë për të parashtruar ankesat apo rezervat që ka lidhur me këtë çështje. Nuk e kuptoj pse ua kërkon të tjerëve dhe i shmanget një përgjegjësie të tillë”- u shpreh Vasili.
Lidhur me reformën zgjedhore, nënkryetari i LSI-së kujtoi se koha nuk premton për zvarritjen e procesit. Në këtë drejtim, ai kërkoi angazhimin e të gjitha forcave politike për lidhjen e një bashkëpunimi konstruktiv.
“Konfrontimet e egra denigruese nuk janë ato që sjellin progresin dhe zhvillimin e vendit aq të mirëpritur nga shqiptarët. Vendi ynë ka nevojë sot më shumë se kurrë më parë nevojë për një bashkëpunim konstruktiv dhe për shumë energji pozitive për të fituar sfidat e mëdha dhe shumë të rëndësishme që ka përpara. Ne vlerësojmë se korrupsioni duhet të goditet pa asnjë kompromis, por ne mendojmë se nuk mund të luftohet korrupsioni me fletë-rrufe televizive por vetëm duke u mbështetur tek institucionet legjitime të vendit. LSI vlerëson se reforma zgjedhore është një domosdoshmëri që nuk pret më, dhe çdo forcë politike, për çfarëdo lloj shkaku apo sebepi që i shmanget përmbushjes së këtij detyrimi, nuk bën gjë tjetër veçse ngarkon veten me përgjegjësi mjaft të rënda për zhvillimin e ardhshëm demokratik të vendit. Gjithashtu ne nënvizojmë se duhet një përgjegjshmëri më e madhe si dhe një vetëpërmbajtje evropiane politike nga të gjitha forcat politike, në zhvillimin e debatit politike, në formën e zhvillimit të këtij debati, në përmbajtjen e këtij debati, në mënyrë që të mos dëmtohet imazhi i vendit, pikërisht tani në kulmin e proceseve integruese, thjesht dhe vetëm për interesa të ngushta politike dhe personale. Rezoluta e Bashkimit Evropian dhe zbatimi i saj janë një sfidë madhore, zbatimi i së cilës përmes një bashkëpunimi politik dhe një konstruktiviteti të plotë mes forcave politike, do të ishte mesazhi më i qartë dhe më elokuent për partnerët tanë ndërkombëtarë, për pjekurinë e politikës shqiptare dhe për atdhetarizmin e saj. Pra të një politike që vë interesat e atdheut përpara çdo interesi tjetër politik të ngushtë personal apo vetjak. Sezoni i ardhshëm parlamentar që na pret në mënyrë të veçantë këto dy kryesfida, rezolutën dhe fillimi i një pune intensive pas një kohe shumë të gjatë të humbur për reformën zgjedhore, janë dy krye çështje të cilave nuk mund tu shmanget askush. Apeli ynë shkon për një përgjegjshmëri dhe konstruktivitet më të plotë për fitimin e këtyre dy sfidave”- deklaroi më tej, Petrit Vasili.