E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Deputetët të marrin mjekime dhe të pranojnë sistemin”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një interviste televizive, u ka bërë thirrje deputetëve grevistë që të pranojnë mjekimet nga ekipi mjekësor që po i mbikëqyr prej 6 ditësh. Duke treguar se maxhoranca nuk do të tërhiqet nga Kodi Zgjedhor, Topalli u ka shprehur se deputetët grevistë duhet të pranojnë sistemin. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se është bërë gati një dhomë e posaçme pranë Kuvendit, me kushte më të mira për grevistët, në rast se ato vendosin të largohen nga salla e seancave parlamentare. “Unë ju thashë se jam e detyruar të respektoj zgjedhjen, pavarësisht se ndaj një mendim krejt tjetër. Në fakt këtë e ka kërkuar Konferenca e Kryetarëve dhe në fakt do të ishin kushte më të përshtatshme, ashtu siç bëhen grevat e urisë në çdo vend tjetër të botës. Në sallën e seancave plenare janë ato kushte që ju i dini. Ajo që më preokupon mua është se ata duhet të respektojnë këshillat e mjekëve”, - është shprehur Topalli. Madje ajo ka bërë të ditur se në rast se greva do të zhvillohej në një ambient tjetër, do të lejoheshin dhe takimet e grevistëve me të afërm, por në sallën e Kuvendit kjo nuk lejohet, pasi përbën objekt të rëndësisë së veçantë. Këtë deklaratë Topalli e ka bërë ndërsa është pyetur për moslejimin e ish-presidentit Moisiu që të takojë deputetët grevistë. “E them edhe një herë, salla e seancave plenare është objekt i rëndësisë së veçantë. Në çdo ambient tjetër kushtet dhe rregullat do të ishin krejt të tjera”, - është shprehur Topalli, e cila ka bërë të ditur se ditën e hënë seanca e radhës do të zhvillohet në sallën e seancave të Kuvendit. Ajo ka bërë të ditur se nuk ka në plan të ndryshojë sallë, pavarësisht grevës së 10 deputetëve. “Deri në këtë moment nuk e kam menduar ta ndryshoj sallën. Ajo është salla e 140 deputetëve, është shtëpia e tyre. Unë nuk dua të kujtoj gjërat që nuk i bëjnë nder Parlamentit, por atëherë ishte e pamundur për shkak të dëmtimit të infrastrukturës, kurse këtë radhë nuk ka asnjë dëmtim”, - është shprehur Topalli.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›