E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Qeveria pengesë për integrimin euroatlantik"

Socialistët vijuan dje akuzat ndaj qeverisë se po saboton proceset integruese të vendit tonë në strukturat euroatlantike. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëkohësisht kryetar i komisionit për politikën e jashtme pranë selisë rozë, tha se në këtë stinë të rëndësishme raportesh, kur pritej që Shqipëria të mbyllte procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe të përgatitej për aplikimin zyrtar për statusin e vendit për anëtarësim në BE, duket se Shqipëria nuk po bën hapa pozitive. Ai iu referua raportit të Monitorimit të Shqipërisë në Procesin e Stabilizim-Asociimit, i hartuar nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë. Balla deklaroi se "sipas raportit vazhdon të mbetet, problematik procesi i hartimit të ligjeve dhe sidomos në fushën e drejtësisë". Opozita insiston se raporti i Shoqërisë së Hapur në kapitullin, e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, thekson se niveli i mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë mbetet shqetësues. Krahas këtyre fakteve, Balla u ndal edhe në fushën e lirisë së shprehjes dhe të shtypit, ku nënvizohet gjithashtu se nuk ka pasur progres.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›