LSI: Edi Rama ka zgjedhur të humbë, le të vazhdojë
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar në lidhje me deklaratën e kreut të PS-së Edi Rama për Radio Europa e Lirë se nuk do të ketë koalicion me këtë forcë politike në zgjedhjet e 2013-ës. Gjatë një aktiviteti të LSI-së në kryeqytet, sekretari i përgjithshëm i saj Luan Rama ka theksuar se destruktiviteti i kryesocialistit Rama është ndëshkuar më herët nga vota e qytetarëve.
“Ne nuk e kemi mendjen se ç`thotë Rama, vëmendja dhe energjitë tona janë për integrimin.Edi Rama ka zgjedhur të humbë, le të vazhdojë në këtë rrugë. Destruktiviteti i tij është ndëshkuar nga vota e qytetarëve” ka theksuar ai. Duke e cilësuar kreun e PS-së si humbës Luan Rama theksoi se ai do ta mbajë humbëse Partinë Socialiste.
Ndërkohë ditën e djeshme në një intervistë për Radio Europia e Lirë, kreu i PS-së Edi Rama mohoi se do të ketë koalicion me LSI-në.
“LSI-ja është pjesë e koalicionit qeveritar dhe ne nuk shohim asnjë dallim që të na bëjë të mendojmë çfarëdo skenari tjetër, përveç skenarit të marrjes së të gjitha votave të popullit shqiptar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të më shumë se 71 mandateve për të qeverisur Shqipërinë, si alternativë e këtij koalicioni me një ofertë shumë të qartë - ose një rilindje shqiptare ose një rrënim i mëtejshëm me këtë koalicion, ku edhe LSI-ja është pjesë integrale” theksoi dje Edi Rama.