E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Investime të ulëta

Tiranë -Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur shqetësimin e saj, për realizimin e ulët të investimeve nga qeveria. Në një prononcim për mediat, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se shifrat shumë të ulëta të realizimit të investimeve veçanërisht në shëndetësi, janë provë e paaftësisë së Qeverisë për të zgjidhur situatën si dhe për fat të keq ato tregojnë se kjo situatë do të rëndohet edhe më shumë në të ardhmen.

“Situata në shëndetësi është rënduar në mënyrë dramatike, duke filluar nga mungesa e barnave e deri tek gjërat më minimale shoqëruar kjo edhe me një klimë të thellë mosbesimi nga qytetarët e me ngjarje të rënda, që po kërcënojnë edhe integritetin e komunitetit mjekësor, premtimet e pafundme për ndryshime në këtë sektor s’kanë asgjë të përbashkët me realitetin ku shifra për realizimin prej 28% të investimeve flet vetë”-theksoi Vasili për mediat.

Në emër të LSI-së, Vasili ka kërkuar qeverisë shqiptare, Parlamentit, organeve të drejtësisë dhe Kontrollit të Lartë të shtetit, të zbardhë përgjegjësitë për këtë gjendje te realizimit të investimeve, sipas çdo niveli si dhe të mbajë qëndrimin përkatës për këtë çështje, duke filluar që nga Kryeministri e deri tek personat përgjegjës në nivelet më të ulëta.

Duke folur për qëndrimin e LSI-së, në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Vasili theksoi se kjo forcë politike ka paraqitur dhe do të përgatisë amendamentet e saj lidhur me dy çështje thelbësore, për administrimin e zgjedhjeve dhe formulën e shpërndarjes së mandateve, të cilat do të jenë propozime dhe amendamente konkrete që do të vihen në dispozicion të komisioni të reformës për shqyrtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›