E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ligji i Dosjeve. Opozita: PD-ja po saboton integrimin në BE



Eljona Ballhysa
Ligji i dosjeve ka shkaktuar sërish debate të ashpra midis opozitës dhe PD-së, gjatë seancës së djeshme parlamentare. Deputetët e opozitës kanë kërkuar nga PD-ja që të tërheqë zbatimin e ligjit të dosjeve pas reagimit të një dite më parë të presidencës Çeke të Bashkimit Europian. Deputetët e opozitës u shprehën se me qëndrimin e saj në kundërshtim të hapur me deklaratat e ndërkombëtarëve, maxhoranca qeverisëse po kërkon të pengojë integrimin e vendit në BE. Ndërsa deputeti socialist, Erion Braçe, u shpreh se PS-ja është për të hapur të gjitha dosjet e komunizmit, duke përfshirë dhe dosjet e qytetarëve të thjeshtë. Ai bëri thirrje që të hapet e para dosja e kryeministrit Sali Berisha dhe e viktimës së tij, Hysen Sheshori. Por Braçe nuk dha më tepër informacion për këtë çështje, për shkak se në sallë nuk ishte i pranishëm kryeministri Berisha. Ndërsa maxhoranca nuk u tërhoq nga qëndrimi për zbatimin e ligjit, pavarësisht qëndrimit kundër të ndërkombëtarëve.
Opozita
Deputeti Taulant Balla, që në fillim të fjalës së tij i bëri thirrje Berishës e Topallit që të tërheqin ligjin e dosjeve, duke e cilësuar atë antikushtetues. Balla tha se nëpërmjet këtij ligji Berisha e Topalli po synojnë të sabotojnë integrimin e Shqipërisë në BE. Edhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, duke iu referuar deklaratës së një dite më parë të BE-së, u shpreh se nëpërmjet këtij ligji qeveria kërkon të dhunojë sistemin e drejtësisë për të mbuluar aferat korruptive.
“Reagimi i Bashkimit Europian plotëson kuadrin shumë të gjerë, por dhe më seriozin dhe më të ashprin ndonjëherë kundër ndonjë qeverie në Shqipëri, për tentativën e saj për të dhunuar organet e Drejtësisë. Të parët qenë amerikanët që denoncuan dhe sugjeruan mosmiratimin e ligjit tuaj, që dhunon sistemin e drejtësisë. Kryeministri juaj, në hall të madh familjar, e quajti qëndrimin personal të një ambasadori, të cilin ai e konsideron pa ndrojtje armik. Edhe OSBE-ja e quajti ligjin një probleme serioz për Drejtësinë dhe përsëri të papranueshëm. Por përsëri kryeministri ynë, në hall të madh familjar, nisi sulmin mbi prokurorët që hetojnë qeverinë e tij familjare, të përfshirë në një sërë abuzimesh me 8 shifra”, - është shprehur Braçe. Duke hedhur poshtë deklaratat e deputetëve të PD-së, sipas të cilave PS-ja po mbron krimet e komunizmit, Braçe theksoi se PS-ja është për hapjen e dosjeve dhe ky proces, sipas tij, duhet të fillojë nga Sali Berisha.
“Zotëri, BE-ja e SHBA-të nuk kërkojnë opozitën në komisionin tuaj, por nuk duan ligjin tuaj antikushtetues. BE-ja e SHBA-të nuk kanë problem hapjen e dosjeve, as ne nuk e kemi problem hapjen e dosjeve, madje po ju pohojmë të hapen dosjet me akses për të gjithë, për përmbajtjen e tyre, për të gjithë, por e përsëris, duke nisur nga Sali Berisha, ose më mirë nga viktima, i përndjekuri politik Hysen Sheshori”, - është shprehur Braçe. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leksaj, u shpreh e zhgënjyer nga qëndrimi i PD-së. Ajo tha se me këtë qëndrim PD-ja po përpiqet të fusë në krizë Parlamentin. “Prisja reflektim nga maxhoranca sot, pas deklaratës së djeshme të Bashkimit Europian. Nuk prisja që maxhoranca t’i shkonte deri në fund, po, me sa duket, ju kanë lëshuar nervat tani në fund të mandatit. Deklarata e BE-së dje fillonte me kërkesën për konsensus politik. Ajo që po bëni ju sot është kundër kësaj linje. Është kundër kërkesës së BE-së për konsensus politik. Juve, zonjë, po e fusni Parlamentin në krizë duke provokuar opozitën”, - është shprehur Leskaj.
Maxhoranca
Zëvendëskryeministri Genc Pollo sqaroi qëndrimin e qeverisë në lidhje me deklaratën e BE-së. Ai tha se qeveria mirëpret çdo monitorim nga ana e Bashkimit Europian për zbatimin e ligjit të lustracionit. “Qeveria dhe maxhoranca mirëpret monitorimin e zbatimit të këtij ligji nga ana e BE-së”, - deklaroi Pollo. Pollo siguroi se qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e të paanshëm të këtij ligji, që çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të tria shkallët e gjykatave dhe vetëm pas shprehjes së Gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë. Ai ftoi opozitën që të marrë pjesë në Autoritetin e Kontrollit të Figurës, që përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët 3 i takojnë opozitës.
Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i bëri thirrje opozitës që të ndahet nga e kaluara dhe të distancohet nga krimet e komunizmit.
“Ne jemi përcaktuar qartë dhe kemi votuar për hapjen e dosjeve, duke filluar nga dosjet tona. Por ju duhet të çliroheni nga nostalgjia që keni për diktaturën dhe nga fijet që ju lidhin me të. Ne ju ftojmë dhe njëherë, që bashkë me kryetarin tuaj, të kapërceni komplekset e vjetra dhe lidhjet familjare që keni me krimet e diktaturës, se Shqipërinë me Europën nuk e ndan ligji i lustracionit, apo qëndrimi ndaj së shkuarës, por e ndan mosdistancimi i krimeve kundër njerëzimit”, - tha Patozi.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›