Benitez beson tek Akuilani: Pikërisht lojtari që kërkoja
Pas shitjes së Ksabi Alonsos te Reali i Madridit, Liverpuli nuk humbi kohë dhe zyrtarizoi blerjen e Alberto Akuilanit nga Roma. Trajneri Rafa Benitez është shprehur mjaft i kënaqur për transferimin e mesfushorit. "Italiani është një lojtar që do t‘i entuziazmojë tifozët", deklaroi drejtuesi i stolit në "Anfilld Roud". Marrëveshja me familjen Sensi, e cila zotëron klubin e Serisë A parashikon pagesën e 20 milionë eurove, por Benitez beson se ky investim është mjaft i vlefshëm: "Ishte lojtari cilësor që po kërkonim". Tekniku spanjoll ka zgjidhur edhe enigmat për pozicionin në fushë që do të ketë mesfushori. "Mendoj se mund të luaj pak më përpara se Maskerano, ndoshta mes argjentinasit dhe Xherard", nënvijëzoi ai për faqen zyrtare të klubit. "Akuilani është lojtari tipik për pasimin e fundit në aksionet ofensive dhe punon shumë në shërbim të skuadrës. Nëse do të ambientohet shpejt në kampionatin anglez, mund të japë një kontribut të jashtëzakonshëm për Liverpulin. Mendoj se edhe tifozët do të jenë të lumtur për afrimin e mesfushorit, i cili ka fituar Europianin U-19 dhe U-21 me Italinë, por edhe disa trofe në rang klubesh. Ai më ka mahnitur në një miqësore që 21-vjeçarët italianë fituan 3-0 me Anglinë në ‘Uembli‘, ku Akuilani u shpall lojtari më i mirë në fushë".