Franz Bekenbauer kërkon falje: Riberi, u tregova shumë drastik
Presidenti honorifik i Bajernit të Mynihut, Franc Bekenbauer, është penduar për fjalët e ashpra që ka thënë në adresë të Frenk Riberisë. Gjatë javës së kaluar, "Kaizeri" kishte thënë se mesfushori është një francez, i cili nuk do t‘ia dijë për klubin bavarez. Deklaratat u shoqëruan me kritika nga drejtuesit e tjerë të klubit. Gjatë një interviste për "Sky", tashmë Bekenbauer kërkon fjale: "Veprova gabim, ndoshta u tregova shumë drastik në mënyrën sesi u shpreha. Doja të thosha se prej faktit që është francez, Frenk nuk është aq i lidhur me klubin sa vendasit. Mund të kisha përdorur terma më elegantë, si për shembull ‘rrënjët e tij nuk janë këtu‘… siç është realiteti. Synimi im ishte që të ndihmoja lojtarin në situatën e tensionuar që u krijua, por ndodhi e kundërta. Pavarësisht kësaj kemi biseduar dhe u sqaruam". Më tej, ai shtoi: "Nëse një futbollist merr oferta nga Reali, është më se normale që ta shqyrtojë. Kjo është e qartë. E mirëkuptoj mënyrën sesi Riberi veproi". Përveç Realit, gjatë merkatos së verës për Riberinë janë interesuar edhe Barcelona, Mançester Junajtid e Çelsi, por Bajerni vendosi të mos e shiste. "Kur e blemë këtë lojtar nga Marseja nuk menduam që ta shisnim më shtrenjtë pas disa vjetësh, por të përforconim skuadrën", përfundoi "Kaizeri".