E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Meta: Të miratohen 3 ligjet para 25 Majit! Berisha: Gati jemi, Rama nuk do

TIRANE-Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta u bëri thirrje sot krerëve të dy partive të mëdha, Berisha e Rama si dhe deputetëve të parlamentit që të votojnë 3 ligjet e cilësuara, si ligjet e integrimit para shperndarjes se parlamentit, qe pritet me 25 Maj.

Sipas Metës, miratimi i ligjeve do të lejonte marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti.

“Të bëjmë të mundur që këto 3 ligje të miratohen tani që jemi në mbyllje të sesionit parlamentar, në mënyrë që vendi të sigurojë mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. Nëse nuk tregohet vullnet, çështja e miratimit të këtyre 3 akteve mbetet një përgjegjësi shumë e madhe për parlamentin e ri dhe pak shance që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti”, u shpreh Meta gjate nje konference per shtyp sot pasdite.

Meta tha se me miratimin e rregullores së re të parlamentit do të bënte të mundur që parlamenti i ri i paszgjedhjeve të 23 qershorit të fillonte punën me një rregullore të re sipas standardeve më të mira.

Kreu i LSI theksoi rëndësinë e miratimit të ligjit për statusin e nëpunësit civil, pasi sipas tij, ligji aktual lejon shumë hapësira për hakmarrje politike.

Lidhur me ligjin për Gjykatën e Lartë, kreu i LSI-së tha se është i rëndësishëm miratimi i këtij ligji, nisur edhe nga disa emërime të nxituara në Gjykata kohët e fundit, që ngjajnë më shumë me karakter partiak se lëvizje që synojnë forcimin pavarësisë së gjyqësorit.

DEKLARATA E PLOTE E METES
“Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dëshiroj të ftoj sot kryetarin e PD-së, z. Berisha dhe kryetarin e PS-së, z. Rama, por edhe të gjithë kolegët e tjerë, përfaqësues të forcave politike në kuvendin aktual, që në seancën më të parë të miratojmë rregulloren e parlamentit dhe dy projektligjet e tjera, të cilat janë konsideruar prej kohësh si një minimum i domosdoshëm për arritjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian nga Shqipëria.

Lidhur me miratimin e rregullores së Parlamentit vlerësojmë se miratimi i këtij dokumenti me konsensusin e të gjitha partive parlamentare do të bëjë të mundur që të ftojmë parlamentin e ri të pas zgjedhjeve të 23 qershorit që të fillojë punën me një rregullore të re sipas standardeve më të mira të parlamenteve të demokracive më të zhvilluara evropiane.

Njëkohësisht lidhur me miratimin e projektligjit për statusin e nëpunësit civil, vlerësojmë se zbatimi i këtij ligji në mënyrë të natyrshme do të ketë nevojë për një periudhe tranzitore për të rritur garancitë e zbatimit të tij dhe për të garantuar edhe shërbyesit civilë aktual se ligji i ri nuk do të shërbejë si një mjet hakmarrjeje politike. Përkundrazi ligji aktual lejon shtigjet për hakmarrje politike dhe për këtë dëshmitë janë të shumta.

Ndërkohë, lidhur me projektligjin tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili ka të bëjë me disa ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe për të cilin kërkohet një shumicë e cilësuar sipas nenit 81 të Kushtetutës dua të theksoj se ndryshimet të cilat propozohen kërkojnë të përshtatin Gjykatën e Lartë me kërkesat e ligjit të miratuar për Gjykatën Administrative.

Krijimi i Kolegjit Administrativ natyrshëm të çon në rritjen e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, prandaj është e rëndësishme, duke u nisur edhe nga disa emërime të nxituara të bëra në disa nga gjykatat më të larta kohët e fundit, të cilat duken më shumë si veprime me karakter partiak se sa si lëvizje që synojnë të forcojnë pavarësinë e drejtësisë dhe të gjyqësorit, ne propozojmë që efektet e zbatimit të këtij ligji t’i tejkalojnë interesat politike të ditës nisur nga fakti që vendi ka nevojë për Gjykatën Administrative, por njëkohësisht lidhur edhe nga domosdoshmëria që kjo gjykatë të jetë krejtësisht e pavarur. Pra ne propozojmë që miratimi i këtij projektligji të shoqërohet me garancinë që ky projektligj të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti, në kohën kur konstituohet kuvendi i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.

Kjo sjellje e parlamentit do të ishte një shenjë e qartë e përgjegjshmërisë politike përballë interesave madhore që ka vendi dhe e ardhmja e tij evropiane pavarësisht nga e shkuara konfliktuale apo nga gara elektorale e cila po kështu ka nisur. Duke ecur në këtë mënyrë, sikurse propozojmë ne si Lëvizje Socialiste për Integrim, bëjnë të mundur që këto ligje të miratohen tani që jemi në mbyllje të këtij sesioni parlamentar, duke fituar të gjithë kohën e nevojshme në mënyrë që vendi të sigurojë patjetër mundësinë e marrjes së statusit kandidat brenda këtij viti.

Në rast se nuk do të ekzistojë ky vullnet dhe nuk do të tregohet përgjegjshmëria e duhur për këtë kompromis natyrisht që çështja e miratimit të këtyre tre akteve do të mbetet për parlamentin e ardhshëm, por sigurisht që ky parlament do të mbyllte të gjithë aktivitetin e tij, duke marrë përgjegjësi shumë të madhe dhe njëkohësisht një vonesë e mëtejshme vetëm sa do të pakësonte shanset që vendi ta fitojë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian brenda këtij viti”.

BERISHA
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë sot pasdite kryeministri Sali Berisha ka bërë historikun e 3 ligjeve që sipas tij, BE i përcaktoi si 3 ligjet e integrimit.
“Së pari, historiku i 3 ligjeve është bërë tashmë i njohur për cdo qytetar shqiptar për mbarë Europën, për SHBA, për ata të cilët kanë interes miqësor të caktuar politik për këtë vend. Ato ligje presin në axhendën e parlamentit, që nga fillimi i vitit 2012 deri në ditën e sotme. Zoti Rama refuzoi në mënyrë kategorike këto 3 ligje dhe nxorri Fierin si pretekst.
Ne vendosëm që këto ligje do i miratojmë me referendum të gatshëm në cdo kohë, por shqiptarët humbën mundësinë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Sipas Berishës, mazhoranca është gati të votojë cdo ligj, por kjo refuzohet nga opozita.
“Për cdo seancë kryetarja Topalli ka përsëritur thirrjen e saj për votimin e 3 ligjeve. Nuk u bë. Statusi humbi, por nuk humbi demokracia shqiptare do ketë zgjedhje dhe zgjedhjet janë një avancim dhe konsolidim i madh i saj dhe sa i përket ligjeve jemi gati t’i votojmë ato. Jemi gati t’i votojmë cdo ditë.
10 ditë më parë ishte prapë Rama që përmendte Fierin, janë cinikë për të krijuar pseudo-ngjarje. Ne jemi të gatshëm, kemi qenë të gatshëm, do jemi të gatshëm për të votuar 3 ligjet dhe cdo ligj, cdo marrëveshje i shërben integrimit të vendit, BE. Ne jemi të vendosur të cojmë para këtë proces, reformat tona bënë të mundur që Shqipëria të marrë statusin me 3 ligjet”.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera 3 ligjet, Topalli-opozitës: Bëhuni seriozë, mbylleni me nder. Ruçi: Topin e keni në fushën tuaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›