E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhet, qeveria rrezikon sektorin e shërbimeve. Jaka: Nuk është rimbursuar TVSH e tatim-fitimit

TIRANË- Pas ndërtimit, qeveria vendos në krizë edhe sektorin e shërbimeve, për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka ka denoncuar në një konferencë për shtyp borxhet prej 200 milionë euro që ekzekutivi i ka ndërtuesve të veprave publike për punë të kryera, si dhe detyrime të konsiderueshme për 66 kompani të sektorit të shërbimeve, si pasojë e mosrimbursimit të TVSH-se dhe tatim-fitimit.

“Janë rreth 660 kompani që operojnë në sektorin e shërbimeve dhe që po preken nga kjo plagë, e rëndë pasi i penalizon këto kompani në pagimin e detyrimeve të drejtëpërdrejta, të tatim-fitimit dhe të TVSH-së. Pra, nëse një kompani ka marrë përsipër një shërbim ndaj institucioneve qendrore apo lokale, ajo është e detyruar të presë faturën në fund të muajit. Dhe për mprehjen e kësaj fature nuk ka rëndësi nëse qeveria e pagoi apo nuk e pagoi detyrimin e saj. Ajo është e detyruar të paguajë tatim-fitimin e parashikuar dhe TVSH-në. Pra është një obligim të cilin ajo e paguan, për buxhetin e shtetit, por nga ana tjetër nuk ka marrë detyrimet apo obligimet që qeveria apo institucionet kanë sipas kontratës së nënshkruar”, theksoi Jaka.

Jaka paralajmëron se në rast të mosshlyerjes së këtyre detyrimeve, sektori i shërbimeve rrezikon kolapsin, ashtu si edhe ndërtimi, me pasoja për të punësuarit e shumte të këtij sektori.
(e.m/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›