LSI: Nuk ekziston “kauza” e zgjedhjeve, opozita i konteston ato për të faktorizuar Edi Ramën

Lëvizja Socialiste për Integrim dënon përpjekjet e opozitës shqiptare, për të faktorizuar padrejtësisht lidershipin e saj, përmes kontestimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto u shpreh “kauza” e pretenduar nga opozita është as më shumë e as më pak, tendencë për kapital politik, të ingranuar fuqishëm nga kryesocialisti në detyrë, Edi Rama.
Haxhinasto theksoi se mazhoranca i ka ofruar çdo të drejtë ligjore opozitës, për të kryer hetimin e zgjedhjeve, por siç u shpreh ai, opozita kërkon të arrijë objektiva të pamerituar përmes imponimeve politike dhe ultimatumeve.
Duke u ndalur tek ligji i SHISH-it, LSI thekson se mazhoranca ka shprehur vullnetin e tij, për t’ju adresuar ekspertëve ndërkombëtarë dhe se për këtë rol është angazhuar ministri i Drejtësisë Bujar Nishani.
Deklarata e plotë për shtyp e nënkryetarit të LSI-së Edmond Haxhinasto:
Debati politik në nxehje për çështjen e hapjes së kutive, i nxitur nga PS, nuk është aspak i lidhur me transparencën e zgjedhjeve, aq më pak në funksion të përmirësimit të standardeve për zgjedhjet e ardhshme. Ai nisi dhe vazhdon të mbetet një debat me objektiv të qartë politik, kontestimin e mazhorancës dhe faktorizimin politik të lidershipit të PS. Identifikimi me gjoja “kauzën” e transparencës nuk mund t’i mbulojë këto objektiva të opozitës.
Asnjëherë mazhoranca nuk ka qenë kundër transparencës se zgjedhjeve. Ajo ka qene e para që i ka kërkuar ato. Asnjëherë mazhoranca nuk ka kundërshtuar ngritjen e Komisionit Hetimor për transparencën e zgjedhjeve. Ajo e ka dhëne konsensusin për këtë duke i dhëne drejtimin e Komisionit opozitës. Asnjëherë mazhoranca nuk ka penguar reformën zgjedhore – ajo ka qenë e para që ka kërkuar fillimin e këtij procesi. Opozita e sotme duhet të këtë të qartë se objektivat e saj politike nuk mund te realizohen duke iu imponuar politikisht dhe me ultimatume mazhorancës. Demokracia funksionon me vota, jo me kërcënime.
Nëse opozita vërtetë ka qellim transparencën e zgjedhjeve, rruga ligjore dhe kushtetuese është e hapur për te. Me këtë rast vlerësojmë prononcimin e Presidentit Topi qe rekomandon Gjykatën Kushtetuese për sqarimin e qëndrimeve te papajtueshme te palëve.
Republika e Shqipërisë është republike e shtetit te se drejtës, dhe jo çiflig i vullneteve politike te ndonjë individi te përveçëm.
Z. Haxhinasto, si po i ndjek LSI-ja debatet e fundit në lidhje me “SHISH”, dhe cili është qëndrimi i saj?
Mazhoranca e ka shprehur vullnetin e saj, duke ju drejtuar ekspertizës ndërkombëtare. Madje dhe Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani është autorizuar të kërkojë mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë të misionit EURALIUS, lidhur me draftin e ndryshimeve në projektligjin e SHISH.