E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet fillimi i part-time, Kule: Presim vendimin



Ende nuk është zbardhur vendimi i qeverisë

Kule: Datat e regjistrimit, pas publikimit në fletoren zyrtare

Fillimi i studimeve me kohë të pjesshme ka hasur pengesat e fundit burokratike përpara se të nisë, pasi ende nuk është dërguar në universitetet publike vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave. Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, konfirmoi dje për “standard” se ende nuk ka mbërritur vendimi i qeverisë dhe se vetëm pas zbardhjes së këtij vendimi do të nisë procedura e regjistrimit.

Ministria e Arsimit kishte deklaruar zyrtarisht se vendimi do të zbardhej ditën e mërkurë, por diçka e tillë nuk ka ndodhur ende, duke i lënë aspirantët për studentë në pritje të vazhdueshme. Rektori Kule tha për gazetën se vendimi pritet në ditët në vijim dhe në bazë të tij do të shpallen datat dhe procedurat e regjistrimit si edhe mënyra e përzgjedhjes së fituesve.

Part-time

Burime nga ministria bëjnë të ditur se dokumentet që do të kërkohen për t’u regjistruar në sistemin part-time do të jenë: diploma e shkollës së mesme; certifikatë personale me fotografi; 2 fotografi; kërkesë për të vijuar studimet me kohë të pjesshme dhe mandati i arkëtimit të tarifës së regjistrimit.

Një lajm i mirë u është rezervuar edhe atyre që kanë dëshirë të vijojnë studimet part-time në Fakultetin e Drejtësisë. Dy vite pas pezullimit të studimeve në këtë fakultet është vendosur nga Këshilli i Ministrave rihapja e studimeve në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në të do të pranohen 200 studentë, ndërkohë që sistem me kohë të pjesshme do të ketë edhe Universiteti i Shkodrës, ku do të pranohen 60 studentë.

Burime nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se kriter për pranimin e studentëve do të jetë vetëm pasja e diplomës së shkollës së mesme. Në rast se do të ketë më shumë aplikime sesa është kuota e regjistrimit, atëherë do të jetë nota mesatare e shkollës së mesme kriteri vendimtar që do të përcaktojë fituesit dhe jofituesit ndër aplikantët e interesuar. Ndërkohë që kritere të tjera do të mund të vendosen edhe nga vetë universitetet gjatë procedurës së përzgjedhjes.

Edhe mbetësit

Por sistemi me kohë të pjesshme është mundësia e fundit për të gjithë ata që mbetën në provimet e para të Maturës Shtetërore, por arritën t’i merrnin ato në sezonin e vjeshtës. Shumica e maturantëve që nuk kishin arritur të kalonin në provimet e detyrueshme të Maturës Shtetërore, arritën ta kapërcejnë këtë pengesë gjatë provimeve të vjeshtës. Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve, z. Edmond Lulja, ka deklaruar se 75 për qind e maturantëve arritën të merrnin provimet, duke iu rindezur shpresa në këtë mënyrë për shkollën e lartë, vetëm në sistemin me kohë të pjesshme.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të AVA-së, jo të gjithë maturantët ngelës u paraqitën në provimet e sezonit të vjeshtës. Në këtë mënyrë, vetëm 80% e tyre riprovuan fatin, duke dhënë provimin. Provimet e vjeshtës janë vetëm për provimet e detyrueshme të Maturës Shtetërore, me anë të të cilave cikli i shkollës së mesme quhet i mbyllur. Ndërkohë, provimet me zgjedhje shërbejnë për të hyrë në universitete dhe jepen vetëm një herë në vit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›