E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: PS-ja të tërhiqet nga bashkëpunimi me PD-në për reformën zgjedhore



Lëvizja Socialiste për Integrim e fton sërish Partinë Socialiste që të tërhiqet nga bashkëpunimi dhe dhënia e konsensuseve maxhorancës dhe kryeministrit Berisha për reformën në Drejtësi dhe reformën zgjedhore. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Luan Rama, tha se konsensusi politik midis lidershipit të PS-së dhe lidershipit të PD-së po mban peng në mënyrë të qëllimshme reformat më të rëndësishme që janë të lidhura me integrimin e vendit. Duke folur për reformën në Drejtësi, Luan Rama tha se kjo reformë pësoi një goditje të rëndë që në momentin kur dy partitë, PS dhe PD, vendosën të ndryshonin Kushtetutën. “Bashkëfajësia në deformimin e Kushtetutës paralajmëroi gjithçka po ndodh aktualisht dhe që ka të bëjë me sulme të qëllimta dhe të organizuara të maxhorancës mbi Prokurorinë dhe mbi organet e Drejtësisë, që frymëzohen nga afera korruptive dhe që synojnë eliminimin e pavarësisë së këtyre organeve dhe shndërrimin e tyre në instrumente të imponimit të pushtetit”, - tha sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama. Ai deklaroi se LSI-ja bashkohet me shqetësimin e shprehur nga aktorët e interesit për atë që po ndodh me reformën në Drejtësi. “Ne bashkohemi me shqetësimin e shprehur nga përfaqësuesit apo aktorët e interesit, siç janë gjyqtarët, prokurorët, noterët dhe avokatët, në debatin e hapur nga ‘Transparency International Albania’, i ftojmë dhe i inkurajojmë ata të vazhdojnë përpjekjet dhe luftën e tyre për të mbrojtur pavarësinë e organeve të sistemit të drejtësisë, si një nga kolonat themelore që dëshmon funksionimin dhe veprimin e shtetit të së drejtës në një shoqëri demokratike”, - tha Rama.
Duke folur për reformën zgjedhore, por edhe për reformën në Drejtësi, zyrtari i lartë i LSI-së i bëri thirrje lidershipit të Partisë Socialiste që të tërhiqet nga bashkëpunimi dhe dhënia e konsensusit maxhorancës dhe kryeministrit Berisha. “E ftojmë publikisht kryetarin në pushtet të Partisë Socialiste në opozitë që të distancohet qartë dhe prerë nga konsensusi politik apo nga konsensusi i së keqes me Berishën, i cili po mban peng reformat e mëdha të zhvillimit të mëtejshëm të vendit”, - tha Luan Rama.

26 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›