Mediu në Fier: “Koalicioni i djathtë duhet të jetë gjithëpërfshirës”
Partia Republikane ka zhvilluar dje Asamblenë Rajonale në qarkun e Fierit. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim kryetari Fatmir Mediu ka deklaruar se koalicioni i djathtë duhet të jetë gjithëpërfshirës. Gjithashtu ai ka kërkuar fillimin e punës për organizimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2009. “Zgjedhjet parlamentare të 2009-s janë jashtëzakonisht të rëndësishme për përcaktimin e Grupit Parlamentar të Partisë Republikane. Pavarësisht sesi do të dalim në zgjedhjet parlamentare të 2009-s, të vetëm apo të bashkuar, ne duhet të përgatitemi dhe të organizohemi që t’i përballojmë ato me sukses. Partia Republikane është që koalicioni të jetë gjithëpërfshirës, ku brenda saj të marrin pjesë partitë e djathta, që janë brenda jetës parlamentare dhe jashtë saj. Rruga e vetme për ndërtimin e koalicionit është diskutimi i Kodit Zgjedhor dhe aleancat ku të përcaktohet pesha elektorale e çdo partie”, - është shprehur Mediu. Ai ka kërkuar zhvillimin e një analize brenda së djathtës, ndërkohë që i ka cilësuar të pavlera debatet e opozitës. “Një marrëdhënie e sinqertë dhe një analizë e saj do ta shndërronin të djathtën shqiptare në një të djathtë me profil europian. Të gjitha debatet pa vlerë që sjell opozita nuk mund të zbehin arritjet e kësaj qeverisjeje”, - është shprehur Mediu.
Topalli, në ndihmë të grave, do të dërgojë në spitale aparate për diagnostikimin e kancerit të gjirit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në vijim të fushatës së saj për kujdes shëndetësor ndaj nënës dhe fëmijës, në bashkëpunim me Presidencën e Rajonit të Pulias, do të bëjë të mundur dërgimin e aparaturave diagnostikuese të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit është takuar dje në mesditë me drejtuesin e programit “Interreg 3”, drejtor i Përgjithshëm i Presidencës së Rajonit të Pulias, Leonardo Volpicella. Biseda u fokusua në masat dhe hapat e ndërmarrë nga programi i qeverisë italiane “Interreg 3” në bashkëpunim me qeverinë shqiptare për diagnostikimin e tumorit të gjirit dhe mitrës te gratë. Drejtori i programit, Leonardo Volpicella, vlerësoi si thelbësore në rezultatet e këtij programi mbështetjen dhe angazhimin e kryetares së Kuvendit në fushatën e ndërgjegjësimit të rrezikut të tumoreve te gratë në shoqërinë shqiptare. Kryetarja e Kuvendit, pasi vlerësoi dhe falënderoi mbështetjen e palës italiane në procesin e diagnostikimit të tumoreve të gjirit dhe të mitrës te gratë, u shpreh se do të vazhdojë me përkushtim fushatën e sensibilizimit të grave në çdo qytet të vendit. “Unë do të punoj me të gjitha forcat dhe vullnetin tim si grua, nënë dhe politikane, që aparaturat e mamografisë dhe diagnostikimit të tumorit të qafës së mitrës, të vendosen në qytete që nuk i kanë. Në takimet e mia në Elbasan, Sarandë, Fier e Berat unë u kam premtuar grave se do t’u krijojmë të gjitha mundësitë për pajisjen me aparatura për diagnostikimin e këtyre tumoreve, që ato të kenë mundësinë e parandalimit”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit.
26 Tetor 2008