E Diel, 1 Nëntor 2026

PAD-ja mbledh Asamblenë Kombëtare, Ceka hedh sinjale për kalimin djathtas



Partia Aleanca Demokratike ka zhvilluar dje mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Në fjalën e mbajtur në këtë mbledhje, presidenti i Partisë, Neritan Ceka, ka hedhur sinjalet e para të kalimit të tij nga një bashkëpunim me Partinë Socialiste në një bashkëpunim në të ardhmen me Partinë Demokratike. Po kështu, Ceka ka kritikuar vonesat në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, duke bërë të ditur se ky kod po sjell pengesa në fillimin e punës për organizimin e partive për fushatën e ardhshme zgjedhore. “Bllokimi i reformës zgjedhore na ka penguar që të paraqesim sot një projekt-vendim final që do të shënonte dhe fillimin e punës konkrete për fushatën elektorale”,- është shprehur Ceka. “PAD-ja e konsideron periudhën që po kalojmë si nga më të rëndësishmet për kombin shqiptar, pavarësia e Kosovës, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe veçanërisht hapja e procedurës për pranimin në NATO, janë një pranim i faktit që Shqipëria ka bërë hapa të ndjeshëm në përparim të demokracisë, së ekonomisë së tregut dhe stabilitetit në vend dhe në rajon”,- është shprehur Ceka, ndërsa ka vlerësuar qeverisjen e deritanishme të së djathtës në pushtet. Ai nënvizoi nevojën e një politike të re në marrëdhëniet midis partive politike dhe në raportet pozitë-opozitë.

26 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›