Preç Zogaj: “E djathta duhet të futet e bashkuar në zgjedhjet parlamentare”
Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, mendon se partitë e djathta duhet të futen të bashkuara nën një sigël koalicioni në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij kjo është mënyra e duhur e bashkëpunimit për të fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. “E djathta politike ka nevojë për parti të tjera për të fituar zgjedhjet në qershorin e vitit 2009. Bashkimi i të gjitha partive të djathta është mjaft i rëndësishëm, pasi shpeshherë partitë e vogla kanë treguar se dinë të plotësojnë më së miri partinë kryesore, atë Demokratike, të plotësojë ato vende ku ka treguar dobësi në zgjedhje”, - është shprehur deputeti demokrat. Ai gjithashtu ka shtuar se edhe sistemi i ri elektoral, proporcional rajonal nxit krijimin e koalicioneve për shkak se ky sistem favorizon më shumë partitë e mëdha, ndërsa të voglat do të ndiheshin më mirë vetëm si pjesë e një koalicioni. “Miratimi i sistemit të ri zgjedhor, pra proporcional rajonal, natyrisht favorizon krijimin e koalicioneve. Dihet se ky sistem favorizon më së shumti partitë e mëdha, ndërsa nuk është i favorshëm për partitë e vogla. Prandaj do të ishte më mirë që partitë e djathta të dilnin të bashkuara në një koalicion, pasi si partitë e vogla, ashtu dhe ato të mëdhatë do të ndihmonin më së miri njëra-tjetrën”, - është shprehur deputeti demokrat.
26 Tetor 2008