Berisha-Uidhers, marrëdhëniet pësojnë regres
Duket se marrëdhëniet midis kryeministrit Berisha dhe ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, kanë pësuar regres. Kjo u duk qartazi dje në komentin e dhënë nga kreu i qeverisë shqiptare, i cili i cilësoi këto marrëdhënie normale në kuadrin e bashkëpunimit institucional. Ndërsa vetëm pak kohë më parë kreu i qeverisë shqiptare i ka cilësuar marrëdhëniet me ambasadorin amerikan të shkëlqyera. I pyetur dhe për kritikat e fundit të ndërkombëtarëve, ku zë të fuqishëm ka pasur ambasadori i SHBA-ve, Berisha i ka cilësuar ato pjesë të diversitetit të mendimeve. Një tjetër kontradiktë e vënë re në fjalën e kryeministrit Berisha gjatë konferencës së djeshme për shtyp ka qenë konstatimi “i shkëlqyer” për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe cilësimi “normale” për marrëdhëniet mes qeverisë dhe ambasadorit amerikan në Shqipërisë. Në një kohë kur dihet mjaft mirë se deklaratat e Uidhersit nuk janë qëndrimi i tij personal, por reflektim i politikës së qeverisë amerikane.
Komenti
“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, mund ta them me përgjegjësi të plotë. Marrëdhëniet midis kryeministrit dhe ambasadorit janë marrëdhënie normale, marrëdhënie që karakterizohen nga një frymë e hapur bashkëpunimi dhe ambasadori dhe Ambasada ka rolin e vet të padiskutueshëm në të gjitha këto zhvillime historike në Uashington”, - është shprehur kreu i qeverisë shqiptare. Një deklaratë e tillë nënkupton një taktikë të kreut të qeverisë shqiptare për t’i lexuar kritikat e ambasadorit amerikan si të tijat, personale dhe jo si qëndrim të qeverisë amerikane. Në këtë këndvështrim ka një precedent në qëndrimin e kryeministrit Berisha. Gjatë kohës kur ai ishte në opozitë ka pasur të tilla përplasje dhe me ish-ambasadorin amerikan Limpreht. Ai komandonte sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode, që t’i cilësonte kritikat e Limprehtit si personale dhe jo si qëndrim të qeverisë amerikane. Duket se të njëjtën taktikë kryeministri Berisha po përdor aktualisht me ambasadorin Uidhers. Ndërkohë që politika e diplomacisë amerikane njihet për centralizimin e saj. Qeveria amerikane dërgon direktiva për qëndrimin e diplomatëve dhe këta të fundit nuk bëjnë gjë tjetër, veçse i zbatojnë këto direktiva.
Kritikat
Po kështu dhe kritikat e lëshuara së fundi nga ambasadori Uidhers, Berisha i ka cilësuar si pjesë e lirisë së mendimit, e cila, sipas tij, ka ardhur për hir të pluralizmit të vendosur në Shqipëri. “Natyrisht, në një vend të lirë të gjitha diversitetet e mendimeve brenda një spektri të caktuar janë të pranueshme. Unë mendoj se institucionet e pavarura në këtë vend lindën para së gjithash dhe mbi të gjitha nga ai vendim, nga ajo sakrificë që u mor për të shembur perden e hekurt, nga ata burra dhe gra, djem dhe vajza, të rinj dhe të reja që shembën në Tiranë "Perden e hekurt", “Murin e Berlinit” dhe i hapën rrugën pluralizmit politik. Në këtë kontekst pavarësia e institucioneve mbetet një qëllim madhor, një parim madhor i jetës dhe veprimtarisë sime. Kjo është tashmë e njohur”, - është shprehur kryeministri Berisha. Ndërsa përsa u përket shqetësimeve të ngritura nga grupet e interesit për hartimin e ligjeve që cenojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, Berisha u shpreh se ligjet nuk “shpiken” nga shqiptarët, por janë marrë nga modele të vendeve të tjera. Ai garantoi se qëllimi i qeverisë është garantimi i pavarësisë së institucioneve. “Një gjë dua t`ju siguroj me bindjen dhe vendosmërinë më të madhe se ligjet e këtij vendi do të jenë ligjet e standardeve më të mira demokratike. Por në qoftë se kërraba e interesit kërkon t`i tërheqë ato, nuk do të mundë t`i tërheqë. Shteti duhet të ketë kufizime dhe këto ligje nuk po i shpikim ne, këto ligje janë praktikat më të mira që ne po i marrim, ne kemi modele tani dhe ecim modele”, - është shprehur Berisha.
26 Tetor 2008