Gjyqtarët dhe prokurorët: Projektligjet e qeverisë janë të dobëta
Eljona Ballhysa
Gjyqtarët, prokurorët dhe përfaqësues të shoqatave ndërkombëtare kanë shprehur dje shqetësimin për rritjen e ndikimit të qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë. Në një takim të organizuar nga “Transparency International Albania”, aktorët e sistemit të drejtësisë kanë kritikuar projektligjet e hartuara nga qeveria, duke i cilësuar ato si përpjekje për të kontrolluar pushtetin gjyqësor në vend. Po kështu këto projektligje janë cilësuar të njëanshme, të pakonsultuara me grupet e interesit dhe që prekin pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Në këtë linjë mendimi ka qenë dhe përfaqësuesi i misionit EURALIUS, Roland Miklau, i cili merret me çështje që lidhen me Drejtësinë. Ai ka mbështetur qëndrimin e presidentit Bamir Topi, duke theksuar se reforma në Drejtësi duhet hartuar nga të gjitha palët.
Gjyqtarët
Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, kritikoi projektligjet e hartuara nga qeveria në kuadër të reformës në Drejtësi. Ajo theksoi se projektligjet janë hartuar në një proces legjislativ të mbyllur, duke anashkaluar ekspertizën ndërkombëtare dhe përvojën më të mirë të profesionistëve të Drejtësisë. “Ne mbështesim reformimin e sistemit të drejtësisë dhe jemi të gatshëm për të luftuar korrupsionin kudo ku ai shfaqet, por jemi të shqetësuar për mungesën e një strategjie të përbashkët, e cila, përveç nismave ligjvënëse, duhet të përfshijë edhe përpjekjen për rritjen e zbatushmërisë së ligjeve, ngritjen e infrastrukturës, forcimit të kapaciteteve dhe rritjes së buxheteve të këtyre institucioneve. Arnimet ligjore dhe kontrolli i Ekzekutivit mbi institucionet nuk e reformojnë sistemin e drejtësisë, por e rrënojnë atë”, - është shprehur Bejleri. Ajo theksoi se Ministria e Drejtësisë po u imponohet institucioneve të pavarura, duke u përpjekur t’i kontrollojë ato. “Fryma e imponimit në drejtim të institucioneve të pavarura, realizuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, është frymë e cila synon rritjen e kontrollit dhe të nënshtrimit. Vihet re një tendencë gjithnjë në rritje e Ekzekutivit për të ndërhyrë në punët e Gjyqësorit, Prokurorisë si dhe në profesionet e avokatisë dhe të noterisë”, - është shprehur Bejleri. Në këtë kuadër ajo ka kritikuar projektligje që po diskutohen së fundi në Kuvend, si ai për administratën gjyqësore. “Projektligjet si ai i administratës gjyqësore dhe ai për Prokurorinë, tentojnë përdorimin në mënyrë antikushtetuese dhe të kundërligjshme të këtyre institucioneve në funksion të Ekzekutivit”, - është shprehur Bejleri. Ajo ka kërkuar t’i jepet fund praktikës së ndjekur nga Ministria e Drejtësisë, e cila, sipas saj, është kthyer në një institucion arrogant. “Duhet të rriten kompetencat e institucioneve të pavarura dhe të reduktohet kontrolli i politikës nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, e cila është kthyer në burim të ushtrimit të arrogancës, frikësimit dhe imponimit të iniciativave ligjore, pa marrë parasysh nevojat, por duke paragjykuar punën e organeve dhe profesionistëve të sistemit të drejtësisë”, - është shprehur Bejleri.
Prokurorët
Në emër të Shoqatës së Prokurorëve, shqetësimet në këtë takim i ka ngritur Shkëlqim Hajdari. Ai lëshoi kritika ndaj qeverisë, veçanërisht për ligjin e shumëdebatuar për Prokurorinë. Gjatë fjalës së tij ai ka parashtruar disa sugjerime që duhet të merren parasysh nga Ministria e Drejtësisë në hartimin e ligjit për Prokurorinë. “Në rast shkarkimi nga detyra të një prokurori, atij t’i njihet e drejta, që nëse gjykata konstaton se shkarkimi është i pabazuar në ligj, prokurori të përfitojë pagën për periudhën që ka qenë pa punë dhe të kthehet në detyrën që ka pasur. Kjo është një e drejtë e pamohueshme kushtetuese që duhet t’u garantohet prokurorëve”,- është shprehur Hajdari. Ai gjithashtu ka kërkuar që numri i anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë të jetë më i madh sesa parashikohet në projektligj, por Këshilli të ruajë statusin e tij si organ këshillimor dhe sugjerues i prokurorit të Përgjithshëm. “Raportimi në Parlament i ministrit të Drejtësisë për punën e Prokurorisë, për mendimin tonë, është i panevojshëm, pasi do të politizonte punën e Prokurorisë dhe nuk do të përmirësonte realisht punën e saj. Në lidhje me nenin e shmangies së konfliktit të interesit, jemi dakord me përmbajtjen e tij. Por mendojmë se në rastin kur prokurori i Përgjithshëm është në konflikt interesi, atëherë ai duhet të deklarojë me shkrim gjendjen e tij dhe kjo duhet të mjaftojë”, - është shprehur Hajdari.
26 Tetor 2008