LSI: Palët të bashkëpunojnë për integrimin, Rama të reflektojë
Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë thirrje forcave politike të bashkëpunojnë në përmbushjen e reformave të cilat do ta çojnë vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Në një konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama theksoi se plotësimi i kushteve të vëna nga BE-ja që Shqipëria të përmbush detyrimet nuk janë çështje vullnetesh politike dhe interesash individuale por kanë të bëjnë me çështjen kombëtare të vendit
“Çdo shmangie, tërheqje ose tendencë për të bllokuar është në dëm të interesave europiane . Nuk ka vend për ngazëllim të dikujt por për shfaqje të rëndësisë dhe angazhimit real. Duke qene që integrimi I vendit është dominante, LSI-ja i fton palët, faktorët dhe aktorët e rëndësishëm politik të kuptojnë domosdoshmërinë e plotësimit të të gjitha detyrimeve, në mënyrë që 100-vjetori I Pavarësisë t`i sjellë Shqipërisë edhe atë që është aspirata jonë e hershme, meritimin e statusit si vend kandidat në Bashkimin Europian” ka theksuar Luan Rama.
Ndërsa ka akuzuar lidershipin socialist për bllokimin që po i bën reformave, Luan Rama i kërkoi këtij të fundit të reflektojë pasi sipas tij barrierat e vendosura ndaj procesit të integrimit janë të panevojshme dhe absurde.
“Reflektimi dhe ulja në tryezën e dialogut politik është angazhimi i palëve në përmbushjen e detyrimeve. Është nonsens rikthimi në praktikën e dështuar e më shumë se një viti më parë. Socialistët shqiptarë kanë kontribuar dhe kanë meritën e tyre në gjithçka që është arritur në këtë vend dhe kanë përgjegjësinë që këto kontribute t`i çojnë më tej dhe çdo kundërvënin e kryetarit të PS-së është sjellja më e papërgjegjshme dhe absurde” ka shtuar më tej Luan Rama.