LSI: Panariti, ministër i Jashtëm, Vangjel Tavo, ministër i Shëndetësisë. Haxhinasto, ministër i Ekonomisë
Ilir Meta vetë pritet të garojë në shtator për postin e kryetarit të LSI. Ai tha se shpreson se do ketë rivalitet
Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka marrë disa vendime të rëndësishme, duke bërë ndryshime në postet e ministrave që mban kjo parti në qeveri.
Kryetari i LSI, Ilir Meta, i bëri të ditura këto ndryshime në një konferencë për shtyp. Ai tha se Petrit Vasili ka vendosur që të japë dorëheqje dhe në vend të tij do të shkojë Vangjel Tavo, një person që e kishte synuar këtë post prej kohësh. Madje Tavo sulmoi ashpër Vasilin, duke e akuzuar për afera korruptive në shëndetësi. Ndërkohë, kryesia e LSI ka vendosur që të largojë nga detyra e ministrit Nasip Naçon. Në vend të tij pritet të shkojë Edmond Haxhinasto, i cili do mbajë edhe postin e zëvendëskryeministrit. Postin e lënë bosh nga Haxhinasto do e zërë Edmond Panariti, nënkryetari aktual i Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, Ilir Meta bëri me dije se do të garojë për postin e kryetarit të LSI. Ai tha se shpreson se do ketë rivalë për postin e kryetarit.
Vendimi kryesor i kësaj mbledhje është thirrja e konventës kombëtare zgjedhore e LSI-së më 29-30 shtator. Së dyti, vendosja e 22 shtatorit si data kur të gjithë anëtarët e LSI-së do të votojnë për kryetarin e ardhshëm të LSI-së dhe njëkohësisht dhe për zgjedhjen e delegatëve të konventës së fundshtatorit. Njëkohësisht kryesia shndërrohet në komitet organizator, i cili do të drejtojë të gjithë përgatitjet për konventën zgjedhore kombëtare të LSI-së, të gjithë debatin dhe ndryshimet në program dhe statut. Do të regjistrojë kandidatët për kryetar, njëkohësisht dhe përcaktimin dhe detajimin e procedurave për zgjedhjen e delegatëve të forumeve të tjera, tha Meta.
Me unanimitet kryesia vendosi që kryetari i komitetit të jetë Petrit Vasili. Njëkohësisht në kuadër të këtyre përgatitjeve dhe angazhimit total të zotit Vasili dhe angazhimit të tij permanent nga LSI, zoti Vasili jep dorëheqjen. Në vijim të këtij ndryshimi LSI vendosi që Vangjel Tavo të propozohet në detyrën e ministrit të Shëndetësisë. Nasip Naço propozohet si nënkryetar Kuvendi, Haxhinasto do jetë zv, kryeministër dhe ministër i Ekonomisë.
Edmond Panariti propozohet si ministër i punëve të Jashtme.
