FRD hap degën e parë në Vlorë, Oketa: Nisim një rrugë të përbashkët nga aty ku nisi pavarësia
Fryma e Re Demokratike hapi zyrtarisht degën e saj të parë në qytetin e Vlorës. Hapja e degës së Vlorës u realizua pas marrjes së vendimit të Gjykatës së Tiranës, më 20.06.2012, vendim që regjistroi FRD si person juridik.
Fryma e Re Demokratike kishte deklaruar se do ishte Vlora hapi i saj i parë për të nisur më tej aksionin e saj politik që do të synojë shtrirjen e FRD në të gjithë vendin dhe sot, ky hap u hodh.
Kryetari i Grupit Nismëtar të FRD, z.Gazmend Oketa ripërsëriti se Fryma e Re Demokratike do të jetë parti e gjithë shqiptarëve, ajo do të jetë një parti kombëtare, e hapur për të gjithë qytetarët e ndershëm.
Nga Vlora 100 vjet më parë nisi rrugë me Ismail Qemalin Pavarësia dhe ne, nisim sot nga Vlora një rrugë të përbashkët, e cila do të përshkojë gjithë Shqipërinë në të mirë të vendit dhe të demokracisë që kemi kërkuar, – deklaroi Oketa.
Në zbatim të qëllimeve tona politike Fryma e Re Demokratike ka një program, ka një plan, ka një rrugë dhe ju fton juve, dhe nga kjo sallë gjithë qytetarët shqiptarët të jenë pjesë e saj, bëri thirrje Oketa nga selia e qytetit të Vlorës.
Zoti Nuredin Aliaj, përfaqësuesi i Grupit Nismëtar për Vlorën ftoi vlonjatët dhe qytetarët e tjerë të Shqipërisë për të ecur së bashku në misionin e FRD për të bërë një Shqipëri tjetër, më të urtë, më të mirë, më dinjitoze, më të zhvilluar, më demokratike dhe europiane.
Të njëjtën thirrje bëri dhe znj. Edlira Gjoni, anëtare e Grupit Nismëtar për krijimin e FRD.
Ashtu si me anëtarësimet e deritanishme, Vlora dhe mbështetja e saj shënuan për veprimtarinë politike të FRD një hap tjetër të rëndësishëm dhe mjaft optimist.