E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Qeveri e dështuar

Tiranë- Megjithëse e ka konsideruar një lajm të mirë, përfundimin e ratifikimit të MSA-së midis Shqipërisë dhe BE-së, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka nguruar të hedh kritika mbi qeverinë Berisha. Nënkryetari i kësaj partie Pëllumb Xhufi deklaroi se dy sfidat më të mëdha të qeverisë janë procesi i liberalizimit të vizave si dhe arritja e aplikimit të statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian.

“Për fat të keq, ne konstatojmë se Qeveria Berisha, sidomos në këtë fazë, kur është përfshirë edhe nga avujt e fushatës elektorale nuk po tregon ndërgjegjen e duhur për t’u përballuar me sfidat dhe me prioritet e vendit. Ajo nuk ka dëgjuar, ka injoruar totalisht vërejtjet që kanë ardhur, qoftë nga aktorët e tjerë politikë, socialë dhe ekonomikë të vendit, por ka injoruar gjithashtu edhe vërejtjet dhe këshillat e partnerëve tanë ndërkombëtarë”-theksoi Xhufi.

LSI-ja ka paraqitur një “raport” kritik të qeverisë për një sërë çështjesh që po përballet vendit, veçanërisht për krizën ekonomike. Në këtë kuadër, kjo forcë politike i ka kërkuar qeverisë që të marrë masa për të përballuar krizën ekonomike botërore.

“Qeveria ka pasur dhe ka një raport shumë negativ me shtetin e së drejtës dhe jo rastësisht kjo Qeveri është kundërshtuar, është kritikuar dhe është denoncuar për ndërhyrjet që ka bërë në sistemin e së drejtës, duke filluar nga ndryshimet kushtetuese, duke vazhduar me Reformën Zgjedhore, me Reformën në Drejtësi, dhe duke përfunduar edhe me goditjet e fundit që i janë dhënë sistemit të prokurorisë me kalimin e atij ligji që, siç dihet, e vë prokurorinë nën tutelën e ekzekutivit”-nënvizoi Xhufi, duke premtuar se nuk do të merrte pjesë në komisionin që do të ngrihet për çeljen e dosjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›