E Diel, 1 Nëntor 2026

Fratini: Mund të përfitoni brenda 2009

• Shqipëria mund të përfitojë liberalizim të plotë të vizave brenda qershorit të vitit të ardhshëm.ADI SHKEMBIDeklarata është bërë dje në Tiranë nga zv.presidenti i Komisionit Evropian, Franko Fratini. Zyrtari i lartë i Brukselit ishte dje në Shqipëri për të çelur zyrtarisht bisedimet mes Bashkimit Evropian dhe vendit tonë për liberalizimin e plotë të vizave. Pas takimit mes delegacioneve dhe një takimi kokë më kokë prej 10 minutash mes tyre, Fratini dhe Berisha dolën në një konferencë për shtyp për të dhënë detajet e këtyre bisedimeve. "Ne hapëm sot negociatat për liberalizimin e vizave dhe kur Shqipëria do të marrë regjimin e lirë të vizave, kjo do të varet nga rezultatet. Unë dua të them se rezultatet mund të arrihen në një kohë shumë të shkurtër. Personalisht mendoj se mund të arrihen rezultate të rëndësishme edhe para mbarimit të mandatit të zotit Barroso", theksoi për mediat komisioneri evropian, Fratini. Duke folur për kushtet që Bashkimi Evropian i ka vënë Shqipërisë për të konkretizuar zbatimin e marrëveshjes për liberalizimin e plotë të vizave, zv.presidenti i KE-së, Fratini, theksoi se pikë kryesore është zbatimi i marrëveshjes së ripranimit të emigrantëve të paligjshëm. Duke u ndalur në këtë pikë, Fratini tha se e rëndësishme është edhe marrëveshja për lehtësimin e vizave, për të cilën bëri të ditur se do t'u kërkojë të gjitha vendeve anëtare të BE-së që të zbatojnë me përpikëri atë. Kushti i dytë, sipas Fratinit, është siguria e dokumenteve, ndërsa i treti bashkëpunimi i ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar. "Dua të them se në të tre këto drejtime, Shqipëria është në pistën e duhur dhe kjo mbështet optimizmin tim, të shprehur pak më parë në lidhje me rezultatet e shpejta", theksoi zyrtari i lartë i KE-së. Lidhur me vlerësimin e secilit vend për progresin në zbatimin e marrëveshjes, ai do të jetë individual për secilin prej vendeve. "Unë jam shumë i kënaqur me angazhimin shumë të madh të Kryeministrit dhe të ministrave të tjerë. Përvoja ka treguar se kur ka vullnet të mirë politik, rezultatet mund të arrihen në një kohë shumë të shkurtër. Unë nuk i konsideroj vendet e Ballkanit Perëndimor si një paketë. Secili vend nga ky rajon do të vlerësohet mbi bazën e meritave të veta. Vendi që do të plotësojë kërkesat më herët, do të marrë më herët regjimin e lirë të vizave", bëri të ditur Fratini. Ndërsa ministri i Brendshëm i Sllovenisë, Dragutin Mate, bëri të ditur në konferencën e përbashkët për shtyp se, "ju keni bërë hapa të mëdha përpara që të mund të vinim në këtë ditë që të hapnim negociatat. Ju plotësuat disa nga kërkesat tona bazë për të filluar negociatat. Nga ajo që na tha zoti Kryeministër, nga reagimi politik i tij dhe qeverisë së tij, pasi kjo çështje mbulohet më tepër nga Ministria e Brendshme, unë e zoti Fratini jemi të bindur se shumë shpejt Shqipëria do t'i plotësojë këto kushte". Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha ka garantuar se Shqipëria do të nënshkruaj çdo marrëveshje që ka të bëjë me ekstradimet dhe ripranimet e emigrantëve të paligjshëm. "Ne do të firmosim çdo marrëveshje bashkëpunimi, ekstradimi, riparimi e të çdo lloji me vendet anëtare të BE-së dhe do t'i zbatojmë ato me seriozitetin më të madh. Shembulli më tipik ishte rasti i djeshëm, kur një nga të konsideruarit 'vrasës i shumëfishtë UFO', nga më të rrezikshmit në Itali, Shqipëri e rajon, u kap në rrugët e Tiranës dhe u vendos para ligjit", theksoi Berisha.DrekaNdryshe nga herët e tjera, kur pas takimeve të zyrtarëve të huaj, drekat kanë qenë me prezencën e delegacioneve, Fratini dhe Berisha kanë drekuar të vetëm për 90 minuta. Madje, burimet zyrtare pranë Këshillit të Ministrave bëjnë të ditur se ka qenë pikërisht kërkesa e zv.presidentit të KE-së, që dreka mes tyre në vilën qeveritare nr.30 të ishte kokë më kokë. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, në bisedën mes tyre, Kryeministri Berisha ka rikonfirmuar edhe njëherë se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap, do të zhvillojë çdo proces dhe do të ndërmarrë çdo nismë për të përmbushur kriteret e duhura dhe njëkohësisht për të realizuar në një afat sa më të shkurtër ëndrrën e shqiptarëve për të lëvizur të lirë brenda hapësirës së madhe të Bashkimit Evropian.3 kushtet e BE    Siguria e dokumentacionit    Lufta kundër emigracionit ilegal     Lufta kundër krimit të organizuar “Vlerësoj rolin pozitë-opozitë”Në takimin me kryetaren e Kuvendit, zyrtari i lartë i KE-së vlerësoi së tepërmi bashkëpunimin ndërmjet pozitës dhe opozitës. "Ndihem i kënaqur për klimën e bashkëpunimit mes palëve në Parlament, duke e cilësuar këtë si shumë të rëndësishme. Mesa duket do të jetë një pranverë e mbarë për shqiptarët", u shpreh Fratini, duke uruar edhe marrjen e ftesës nga Samiti i ardhshëm i Bukureshtit. "Jam i impresionuar për rezultatet e dukshme që keni bërë krahasuar me vetëm një vit më parë, dhe jam i sigurt se integrimi i Shqipërisë në BE do të jetë i shpejtë", theksoi ai. Ndërsa Topalli u shpreh se, mbetet e fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal dhe forcimin e shtetit ligjor.Topi: Ka vullnet për reformatPresidenti Bamir Topi tha dje gjatë takimit me zv.presidentin e KE-së, Franko Fratini, se klasa politike shqiptare ka vullnet për kryerjen e reformave. "Presidenti Topi theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e reformës në drejtësi që po kryhet me seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur, si edhe vuri në pah vullnetin politik të të gjitha palëve për bashkëpunimin në një sërë reformash dhe ndërmarrjesh të tjera, si reforma e pritshme zgjedhore, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në shërbim të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO gjatë Samitit të ardhshëm të Bukureshtit dhe më tej në Bashkimin Evropian", thuhet në njoftimin e Presidencës. Nga ana tjetër, Fratini vlerësoi arritjet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe NATO. LSI: Duhet maksimumi nga qeveria"Ky eveniment i një rëndësie të madhe për shqiptarët, kërkon maksimumin e përgjegjësisë nga ana e qeverisë për të realizuar të gjithë detyrimet që kemi për zbatimin konkret të tij, në drejtim të pajisjes së shtetasve me pasaporta të reja me siguri të lartë, në drejtim të regjistrimit të popullsisë apo kontrollit të kufijve, pasi siç u shpreh edhe Komisioneri Fratini, realizimi i liberalizimit të vizave do të varet pikërisht nga performanca e Shqipërisë", tha Haxhinasto.PS: Të reflektohet në luftën ndaj korrupsionit"Qeveria të reflektojë ndaj sinjaleve të BE, në luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar i bën thirrje qeverisë për përshpejtimin e punës për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe të forcojë e modernizojë regjimin kufitar, duke krijuar kushtet e nevojshme për regjimin e vizave që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve shqiptarë", tha Leskaj.Sllovenia vlerëson arritjet e ShqipërisëGjatë takimit të djeshëm përshëndeti edhe ministri i Brendshëm i Sllovenisë, Dragutin Mate, i cili shprehu vlerësimet e tij më pozitive për arritjet e qeverisë shqiptare në implementimin e reformave, gjë që solli dhe hapjen e dialogut, si dhe u shpreh se ky dialog është i një rëndësie të madhe jo vetëm për politikën, por mbi të gjitha për popullin shqiptar, i cili do të realizojë ëndrrën tij për të lëvizur lirisht.KE: Kujdes me reformatNë raportin e KE-së për Shqipërinë, vlerësohen si të rëndësishme zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. "Reforma elektorale, veçanërisht në kuadrin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, forcimi i shtetit ligjor, reforma e sistemit gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë të një rëndësie qendrore. Një klimë e përmirësuar në Parlament do të kontribuojë për progres lidhur me këto çështje", thuhet në raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›