E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Rinisja e protestave të opozitës, mungesë e alternativave të lidershipit. Koalicioni me PD, asnjë krisje, bashkëpunimi është korrekt

Debati për kushtetuesen, thelbësore korrektesa ndaj Kushtetutës së vendit


Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot një ditë pas qëndrimit të kryetarit të socialistëve, për rinisje të protestave gjatë muajit shtator. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, tha se një veprim i tillë tregon se opozita s’ka asnjë alternativë për t’ju përshtatur debatit politik. “Kemi mbyllur një javë politike që nisi me debatin votimit të ndryshimeve në buxhetin e vitit dhe me artikulimet e zakonshme të asaj pjese të opozitës që përfaqëson lidershipi i Partisë Socialiste, i cili ka artikuluar aksionin politik të vjeshtës, çka paralajmëron rikthimin në traditën e vjetër apo në praktikën vjetër të bojkotit, protestave dhe llogarive që ndërtohen rezultate që ushqyen iluzionin e fitores edhe në zgjedhjet e kaluara dhe rezultati solli të kundërtën e përllogaritjeve që bënë enturazhi që e rrethon lidershipin e PS-së. Ato çka deklaron kryetari aktual i PS-së, shprehin në thelb mungesën e alternativës. Duke qenë se janë të pazotë të konkurrojnë me alternativat, paralajmërojnë një vjeshtë të mbushur me protesta, apo me shfaqje të tjera të sjelljes së një politike vërtet jashtë të majtës dhe të djathtës evropiane”- u shpreh Rama. Sipas tij, Shqipëria është në prag të sfidave të mëdha të integrimit dhe se nuk mund të pranohet një opozitë e cila flet me gjuhën e para 20 viteve. “Shqipëria e vitit 2010, Shqipëria anëtare e NATO-s, Shqipëria në prag të marrjes së statusit kandidat në BE, pra, Shqipëria evropiane, nuk mund të pranojë një opozitë që flet me gjuhën e para 20 viteve. Ndërkaq ky kontrast është i mjaftueshëm për të kuptuar diferencën e madhe midis trendit evropian të shoqërisë shqiptare dhe rudimentit të vjetër që përfaqëson ky qëndrim, që në thelb shpreh më së miri, krizën e madhe të identitetit politik, dhe krizën e madhe të mungesës së alternativave, çfarë është në mënyrën e sjelljes së opozitave demokratike dhe evropiane”- deklaroi më tej, zyrtari i LSI-së. Duke iu referuar debatit të ditëve të fundit ndërmjet mazhorancës dhe presidentit, Lëvizja Socialiste për Integrim vëren se kreu i shtetit duhet t’i referohet Kushtetutës në ndërtimin e raporteve me Kuvendin. “Ka qenë prezent këtë javë dhe debati në lidhje me vendin në Gjykatën Kushtetuese. Unë në emër të LSI-së deklaroj se raporti mes Presidentit dhe pushteteve të tjera, më konkretisht, mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, mes Presidentit të Republikës dhe qeverisë, mes Presidentit të Republikës dhe organeve të drejtësisë, janë marrëdhënie që ndërtohen mbi bazë të Kushtetutës, që funksionojnë në zbatim të Kushtetutës, dhe që duhen vlerësuar dhe gjykuar vetëm në raport apo në funksion të korrektesës së tyre ndaj Kushtetutës së vendit”- vuri në dukje Luan Rama.Lidhur me funksionimin e koalicionit qeveritar PD-LSI, Rama tha se po ecet drejt realizimin të objektivave të përcaktuar që në krye të herës. Në këtë kontest, zyrtari i LSI-së konsideroi si absurde komentet mediatike që flasin për krisje. “Llogaritë që bëjnë disa njerëz që shkruajnë dhe në gazeta, që paralajmërojë krizë mes aleatëve në qeverisje, më konkretisht mes PD-së dhe LSI-së, janë absurde. Theksoj se këto i kanë të pabaza dhe nuk ka asnjë shenjë të krisjes apo në krizën e marrëdhënieve midis partnerëve në qeverisje”- deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›